Lajçak mohon se ka “kornizë të re të dialogut” që e përmendi Vuçiq

Emisari i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është deklaruar pas takimit që zhvilloi me kryeministrin Albin Kurt.

Ai tha se është habitur kur ka dëgjuar për kornizë të re të dialogut, të cilën e ka përmendur presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, gjatë raportimit në Kuvendin e Serbisë të martën.

“Jemi këtu për të shtyrë procesin përpara, takimi do të ndodhë sa më shpejt dhe ky është edhe qëllimi pse jam këtu sot. Ne duam që të sigurohemi që takimi të ketë substancë dhe të jetë produktiv”, ka deklaruar emisari sllovak.

Sa i përket takimit të ardhshëm mes liderëve Kurti dhe Vuçiq, Lajçak tha se nuk ka ndonjë datë të saktë se kur mund të ndodhë, mirëpo se BE’ja është gjithmonë e gatshme të ndërmjetësojë.

Kjo vizitë e Lajçak në Kosovë nuk ishte paralajmëruar nga BE’ja derisa lajmin për takim mes të dyve është konfirmuar nga zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se jo domosdoshmërisht komentojnë çdo takim pune apo ndërveprim të Lajçakut me partnerët në rajon.

“Është pjesë e punës së përfaqësuesit të posaçëm të BE’së, Lajcak, të udhëtojë e të takojë jo vetëm partnerët në regjion, mirëpo edhe ata në BE dhe më tej. Ne jo domosdoshmërisht komentojmë çdo takim të tij të punës ose ndërveprim të Lajçakut me partnerët në rajon. Këto vizita pune, njësoj si ajo e sotmja në Kosovë, po zhvillohen në kuadër të çuarjes përpara të procesit të dialogut dhe vazhdimit të diskutimeve për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve”, tha Stano.