‘Shkrirja’ e Ethereum shënon një epokë të re për kriptovalutat që mund ta kthejë atë në monedhën nr. 1 në treg.
Momentalisht, kriptomonedha e dytë më e madhe në botë ka pësuar një transformim të rëndësishëm i cili pritet të ndryshojë rrënjësisht teknologjinë e saj duke ulur emetimet e karbonit me më shumë se 99.9% sipas raportimit të fundit të platformës Ethereum.
Ky tranzicion i njohur si ‘Shkrirja’ apo The Merge është finalizuar, konfirmoi të enjten themeluesi i Ethereum, Vitalik Buterin.
“Dhe ne finalizuam!… Gëzuar bashkimin njerëz! Ky është një moment i madh për ekosistemin Ethereum,” shkroi ai në një postim në Twitter.
Kjo do të thotë se teknologjia blockchain e Ethereum është përmirësuar nga modeli intensiv i konsumit të energjisë i përdorur nga rivali i tij Bitcoin.
Qëkur lajmi i kësaj lëvizjeje u bë publik, vlera e monedhës Ethereum, Ether (ETH) u dyfishua në një periudhë të shkurtër prej 2 muajsh.
Çfarë është ‘Shkrirja’?
Pjesa e parë e përmirësimit të The Merge filloi më 6 shtator me sistemin Bellatrix.
Ky ndryshim do të bëjë që Ethereum të shkoi nga modeli PoW (Proof-of-Work) që konsumon elektricitet në mënyrë intensive në modelin PoS (Proof-of-Stake). Të dy mekanizmat përdoren për të konfirmuar transaksionet dhe për të shtuar blloqe të reja në zinxhirin e njohur si blockchain, por ato funksionojnë ndryshe.
Sistemi PoW funksionon si një lojë numerike tejet garuese – dhe personi i parë i cili e zgjidh këtë lojë apo ‘enigmë’ kompensohet me një sasi të caktuar kriptomonedhash për çdo transaksion të verifikuar.
Ky lloj sistemi konsumon një sasi të jashtëzakonshme elektriciteti pasi në mënyrë që të funksionojë kërkon që një rrjet global kompjuterësh të funksionojnë në të njëjtën kohë kur kryhet një transaksion me kriptomonedha në çdo cep të botës.
Ndërkohë, në sistemin PoS, nuk ju nevojitet aq shumë hardueri që konsumon intensivisht energji se sa numri i monedhave, raporton euronews.
Pra, nëse me sistemin PoW, fuqia e makinerisë apo harduerit tuaj rriste mundësinë tuaj për të fituar (apo zgjidhur) sa më shumë transaksione, me sistemin PoS, e vetmja gjë që jua rrit mundësinë për të fituar është thjesht numri i monedhave tuaja.
Do t’ia kalojë Bitcoinit?
Për disa po. Për të tjerë, edhe pse Ethereum mund të jetë më i pastër për mjedisin sesa Bitcoin, nuk ka gjasa që një Ethereum i përmirësuar të arrijë vendin e parë në tregun e kriptove.
“Bitcoin do të jetë gjithmonë si ari digjital elektronik. Dhe Ethereum është si paratë fiat, janë thjesht dy gjëra krejtësisht të ndryshme,” tha Marchesoni.
Logjika prapa këtij arsyetimi është se Bitcoin është i programuar për të pasur një numër fiks monedhash. Në çdo kohë të mundshme, mund të ketë vetëm 21 milionë monedha Bitcoin në qarkullim.
Ja pse ai krahasohet me modelin ekonomik të mbështetur tek ari.
Ndërsa Ethereum nuk ke ka këtë kufizim, ndaj edhe krahasohet me modelin aktual ekonomik që është ai FIAT, ku valutat tona si dollari, euro, yeni etj. nuk janë të mbështetura tek ndonjë vlerë reale si sasia e arit apo argjendit në qarkullim.
Një vendim ky, që u morr nga Presidenti Amerikan Richard Nixon në vitin 1971, i cili ndryshoi tërësisht rrjedhën e gjërave por ky është një diskutim për një herë tjetër.
Mbetet për t’u parë nëse Ethereum do të bëhet Bitcoin-i i ri, sidomos në një kohë kur shumica e qeveria janë kundër monedhave digjitale pikërisht si pasojë e sasisë së lartë të energjisë që ato konsumojnë.
Tashmë, vetëm koha do të tregojë nëse Vitali do të arrijë t’ia marrë vendin e parë krijuesit anonim të Bitcoin me emrin e çuditshëm Satoshi Nakamoto.