




Në seancën e fundit të Parlamentit të Serbisë, përveç Shaip Kamberit, deputetit të vetëm shqiptar që i tha në sy Aleksandar Vuçiqit se s’ka çka kërkon në Kosovë, ishte edhe një deputet serb që i ia numëroi presidentit serb të vërtetat që publiku në Serbi privohet t’i dijë.
Bëhet fjalë për Mirosllav Aleksiq, shefin e Grupit Parlamentar të NS-së (Narodna Stranka – Partia Popullore), e cila udhëhiqet nga Vuk Jeremiq, ish-ministër i Jashtëm i Serbisë.
Në fjalimin e tij para deputetëve dhe Vuçiqit, Aleksiq e ka akuzuar Milan Radojiçiqin se po i maltreton serbët e Kosovës duke iu bërë presion dhe duke i shantazhuar madje edhe kush do të merr dru për dimër e kush jo.





“Po flasim edhe për problemet e serbëve që shkaktohen nga ata që tash ulen në ballkon (duke bërë me gisht nga lozha ku qëndronin përfaqësuesit e Listës Serbe). Sot keni thënë se ata janë përfaqësues të serbëve, jo ata janë përfaqësues të Listës Serbe. Ata janë të cilët i kanë lënë qytetarët e Kosovës në mëshirën e tyre”, ka thënë Aleksiq.
Tutje ai ka thënë se serbët në Kosovë kanë mbetur në mëshirën e njerëzve të Listës Serbe në krye me Milan Radojiçiqin.





“Milan Radojiçiq është në listë të zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ndaj tij ekziston edhe një flet arrest dhe ky është njeriu që sot serbët në Kosovë i kërcënon duke iu bërë presion, duke i maltretuar dhe i ndanë në ata që do të kenë punë ose jo, në ata se a do të kenë dru për dimër ose jo, a do të kenë ndihmë sociale, se do ta kenë rroba dhe kështu me radhë”, ka thënë Aleksiq.
Ky fjalim i Aleksiqit është postuar në një profil në Facebook të serbëve të Kosovës dhe aty ka marrë shumë komente përgëzuese për këtë fjalim dhe për të vërtetën e serbëve që kërcënohen nga Radojiçiq dhe bandat e tij.
Radojiçiq dyshohet se është në mbrojtje direkte të Vuçiqit, ndërsa akuzohet për lidhje të drejtpërdrejta në vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.