Trajkoviq: Askush nuk e di ku përfundojnë 800 milionë euro që Serbia i investon në Kosovë

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviq, ka thënë sot se nëse Serbia do të investonte 820 milionë euro në vit për komunitetin serb në Kosovë, kjo do të ishte vërtetë një pasuri. Por, ajo tha se askush nuk e di se ku përfundojnë këto para.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, duke prezantuar raportin për Kosovën para deputetëve të Kuvendit të Serbisë, tha se Serbia çdo vit investon në Kosovë nga 750 deri në 800 milionë euro.

Trajkoviq tha për RTV “KIM” se “asnjë njeri serioz nuk e di se ku përfundojnë kaq shumë para”.

“Askush nuk e ka parë llogarinë përfundimtare, për të treguar se ku gjoja shkojnë ato para. Neve na intereson se ku shkojnë ato para. Nëse do të investoheshin kaq shumë para në komunitetin serb, në infrastrukturën ku jetojnë serbët, kjo do të ishte një pasuri e vërtetë. Kam frikë se hyjnë [paratë] zyrtarisht, e dalin jozyrtarisht nga Kosova dhe për këtë fajin e kanë strukturat e ngritura nga Lista Serbe dhe Vuçiq”, tha Trajkoviq.

Ish-sekretari shtetëror në Ministrinë e Ekonomisë së Republikës së Serbisë, Branimir Stojanoviq, thotë se nuk ka një pasqyrë të plotë se si shpenzohen paratë.

“Pjesa më e madhe e atyre parave ndoshta shkon për paga, një pjesë shkon për investime kapitale. Ajo që shqetëson shumë këtu dhe pse njerëzit janë të pakënaqur, është pse pjesa më e madhe e atyre investimeve kapitale shkon në veri të Kosovës dhe një pjesë e vogël përfundon në jug të Ibrit. Sigurisht një pjesë e konsiderueshme e parave shkojnë për Kishën Ortodokse Serbe. Ajo që nuk është mirë është se projektet e mëdha si ndërtimi i banesave po bëhet në veri. Këtë vit janë ndërtuar 19 objekte banimi në veri të Kosovës dhe asnjë në jug të Ibrit”, tha Stojanoviq.

“Në njërin nga fjalimet e tij të mëparshme në Kuvendin e Serbisë, presidenti i Serbisë tha se për ndërtimin e spitalit në Graçanicë janë ndarë gjashtë milionë euro. Edhe pse është paralajmëruar shumë herë në vitet e kaluara, ende nuk ka filluar ndërtimi i atij objekti që do të trajtonte më shumë se 60 mijë qytetarë.

“Për këto histori realisht është folur për një kohë të gjatë. Konkretisht nuk e kemi realizimin e asaj që thuhet. Gjithçka që realizohet janë kryesisht para të marra nga buxheti evropian dhe përkrahja evropiane që vjen përmes institucioneve në Prishtinë. dhe pastaj paraqitet si investim nga shteti, shihet edhe nga ajo që po arrihet në Anamoravë”, thotë Trajkoviq.

Branimir Stojanoviq vlerëson se projektet për të cilat janë dhënë paratë nuk realizohen për arsye politike.

“Kreu i Listës Serbe, e cila përbëhet nga njerëz nga veriu i Kosovës, kontrollon absolutisht gjithçka. Është shfuqizuar çdo strukturë organizimi dhe ndikimi i njerëzve në jug të Ibrit, dhe jo vetëm në Graçanicë, por në të gjitha mjediset. Nuk ka njeri në Listën Serbe që mund të rebelohet apo të thotë diçka kundër ndonjë gjëje, kundër trazirave, neglizhencës, korrupsionit. Thjesht të gjithë njerëzit që merren me politikë këtu brenda Listës Serbe janë të ndarë në tre-katër klane, brengosen vetëm se si të mbijetojnë në pozitat e tyre dhe si ta ruajnë kolltukun e tyre”, ka vlerësuar Stojanoviq, transmeton Telegrafi.

Prej vitesh spekulohet për gjoja kthimin e parave që Serbia investon në Kosovë. Nuk ka prova të vërteta për momentin, por ka pretendime.

“Një pjesë e parave sigurisht që kthehen. Ata që marrin rroga të mira këtu në përgjithësi i ruajnë ato paga për të blerë pasuri të paluajtshme në territorin e Serbisë qendrore. Shumë rrallë ato para përdoren për të krijuar ndonjë vlerë të re, potencial të ri në Kosovë. Rrënjën e atij problemi e gjejmë në një politikë të çuditshme. Kur krijon një strukturë, në të cilën është shndërruar Lista Serbe, për të cilën askush nuk guxon të thotë asgjë të keqe, të nxjerrë në pah një problem, të rebelohet kundër atij problemi, por shikon vetëm se si të mbijetohet. Për pasojë kemi situatën kur të gjithë të shohin se si mund të fitojnë sa më shumë, të mbledhin sa më shumë para dhe të largohen nga këtu”, tha Stojanoviq.

Ai theksoi se kur i heq të drejtat politike njeriut të rëndomtë, nuk mund të presësh që ai të besojë në një të ardhme dhe nuk mund të presësh që ai të luftojë.

Ish-ministri në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, pretendon se paratë e investuara janë kthyer nga Kosova në Beograd.

“Dihet që shumë nga ata njerëz që marrin projekte, janë të padukshëm. Dikush që duhet të ketë investuar para në një projekt të caktuar, ai i kthen në masë të madhe nga kanë ardhur paratë. Zakonisht funksionon sipas parimit që 95 për qind kthehen dhe pesë për qind mbulon shpenzimet për atë njeri të mjerë që duhej të ishte viktimë për të pastruar paratë”, tha Rashiq.