Gjithçka dukej moderne, që nga parku para ndërtesave e deri te detajet më të vogla brenda apartamenteve në kompleksin “Prishtina e Re”, që ndodhet në rrugën “Holger Petersen” në Prishtinë. Por pritjet e 40 familjeve të këtij kompleksi u kthyen në makth që në ditët e para të jetesës këtu.
Megjithëse ata paguan hiq më pak se 700 euro për një metër katror, tash e 14 muaj përballen me mungesë elementare për jetesë.
Furnizimi me ujë e energji elektrike u instalua në mënyrë ilegale dhe rrjedhimisht, kohë pas kohe, mbesin pa të, për shkak të ndërprerjes nga KEDS-i dhe ujësjellësi.
Telashe të mëdha kanë edhe me ashensorin dhe pasigurinë e hyrjes, pasi ndërtuesi nuk i përfundoi punët sipas kontratës.
“Krejt Prishtina ka qasje me hy. Kemi telashe edhe me rrymë për arsye se janë montu orat qysh na ka tregu KEK-u, të montume ilegalisht orat. Jena shku në KEK për me ba kërkesën m’i regjistru orat për me ba pagesën, për mos m’i la mu grumbullu të gjitha, KEK-u se ka pranu këtë që e kena kërku na, duhet thojke me ardhë pronari për me ba kërkesën, dy apo tri herë kena pas shkyçje nga rrjeti elektrik, gjitha gjërat janë pa përfundu. Kemi qenë edhe në Komunë për t’u ankuar edhe në inspektorat, kanë thanë direkt pa e hapë landën në Gjykatë, me na njoftu neve Gjykatën na s’mujna me ardhë këtu me ba kurgjo hiq”, tha Arian Gashi, banor i këtij kompleksi.
Madje as gjelbërimi dhe parku për fëmijë nuk u realizuan kurrë, e gjitha mbeti vetëm në maketën e prezantuar për shitje.
“Hymjen nuk e kemi, gjelbërimin nuk e kemi në plan, kurrgjë nuk është në rregull, po shkojna pe thirrum pronarin, nuk po përgjigjet, po thotë obligimet e tona i kena kry, siç po shihni edhe vetë, gjelbërimi ka pas me qenë në këtë pjesë knej, edhe fusha e futbollit kqyre hymjen ka e kem na qysh osht, duhet me hi mrena për me dal kah, n’rregull nuk është’’, tha Mirsad Rama, një banor tjetër i “Prishtinës së Re”.
Ndërtimet në këto dy komplekse në kryeqytet u bënë nga kompania “Prishtina e Re”, e cila posedonte leje ndërtimi, por se objektet nuk morën kurrë pranimin teknik nga ana e komunës dhe rrjedhimisht, pronarët e banesave nuk posedojnë fletën e pronësisë për pronat e tyre.
Dhe për më tepër, vendi i dedikuar për parking nëntokësor, sa herë që ka reshje shiu, përmbytet nga uji.
Banorët thonë se me dhjetëra herë kanë provuar të kërkojnë përgjegjësi nga ndërtuesi i këtyre komplekseve, por shqetësimet dhe kërkesat e tyre kanë hasur në veshin e shurdhër.
KIKS Kosova ka kontaktuar pronarin e kompanisë, Liridon Bytyqi, i cili përmes telefonit ka mohuar të gjitha problemet me banorët e këtyre komplekseve, duke insistuar se të gjitha punët aty tashmë kanë përfunduar.
“Se di që kanë problem banorët. Unë nuk kam problem me banorë, as banorët nuk kanë problem me mu, për leje komunale jashtë objektit i bënë komuna jo unë, është e kuptueshme krejt botën se unë kom pagu leje, 200 e diçka mijë euro për dy hymje, liftin duhet kompania me mirëmbajtë, jo unë, unë s’e mirëmbajë, ata duhet me pagu ata, pak i kom halitë unë, liftet janë lëshu në funksion, janë pranu teknikisht edhe duhet m’i mbajtë banorët jo unë, janë firmat që janë të licensume për këtë muhabet’’, tha ai.
Se këto dy komplekse janë kyçur ilegalisht në sistemin e energjisë e ka pranuar edhe zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala. Ai i ka thënë Kiks Kosovës se këto objekte janë evidentuar si kyçje ilegale dhe se në mënyrë të vazhdueshme i kanë shkyçur.