“Kaluan tri ditë bashkë në Beograd”/ A është ky plani i Aleksandër Vuçiqit për Albin Kurtin? Zbardhen detajet…

Pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për këtë dialog, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se vendi i tij nuk do ta njohë Kosovën.

“Sipas tyre [diplomatëve evropianë], dialogu duhet të rezultojë me zgjidhje të menjëhershme dhe përfundimtare, siç thonë ata, të problemeve, me të cilat po përballemi dhe të të gjitha çështjeve të pazgjidhura. Marrëveshja do të nënkuptonte – nuk mund të them njohje të Kosovës – mirëpo do të ishte njohje të gjithçkaje që ata mendojnë se është realitet”, ka thënë Vuçiq.

E pas deklaratës së Vuçiqit, i menjëhershëm ishte reagimi i profesor, doktor Enver Bytyçit.

“E dini pse u terhoq Vuciq nga njohja e shtetit te Kosovës? Pret të rrezohet qeveria Kurti!”, shkroi në faqen e tij në facebook, profesor Bytyçi.

E “Bota sot” e ka kontaktuar edhe njëherë Bytyçin për të marr më shumë detaje lidhur me planin, që sipas tij ka presidenti serb Vuçiq.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i deklaroi treshes evropiane se nuk do ta njoha Kosovën. Kjo deklarata e tij nuk u be ne rastin e udhëtimit të Lajçak dhe Escobar në Beograd para dy javësh. Sepse mesa duket Vuçiq nuk ishte i sigurt në hapat që do të hidheshin në situatën e brendshme në Kosovë, si dhe në aspektin evropian. Sigurisht që kjo deklaratë e kreut të shtetit serb është konjukturale. Ka efekt propagandistik e të përkohshëm. Por nëse analizojmë rrethanat e zhvillimeve politike në Kosovë e jashtë saj, atëherë do të duhej të analizonim shkaqet plotësuese të kësaj deklarate”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, ka një koordinim mes Aleksandër Vuçiqit dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

“Mos harroni, presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Shqipërisë kaluan tri ditë bashkë në Beograd. Pinë bashkë verë, shtetiten në lumin Sava së bashku, u shtruan në dreka e darka si sulltanët. Nuk e dimë nëse fjetën ose jo gjithashtu bashkë! Çdo minutë të 72 orëve ata i pamë bashkë kudo. Në ekrane e jashtë ekraneve. Nuk besoj se Vuçiq gjatë këtyre 72 orëve të ketë shkuar te gruaja e tij. Nuk do ta lëshonte shansin t’i ikte prej duarve e të rrinte, të bisedonte për gjithçka me Edi Ramën”, shpjegon Bytyçi.

“Gjithë kjo kohë është shfrytëzuar për të thur intriga, jo për të promovuar paqe e drejtësi. Asnjëri prej tyre nuk e njohin as drejtësinë, aq mëshirën, as lutjen, as të vërtetën, as rregullin e funksionimit në harmoni të kësaj bote. Prandaj ata kur flasin, thjesht bëjnë plane për të shkatërruar jetën e dikujt. Kurbani i tyre është dhe mbetet Kosova. Ju siguroj se ata nuk flasin për gjë tjetër, veçse për Kosovën, për qeverinë e presidenten e saj dhe bëjnë gjithçka që munden që në pushtet në Kosovë të vijnë aleatët e Aleksandër Vuçiq, Edi Ramës dhe Hashim Thaçit”, shton profesor Bytyçi.

Bytyçi thotë se edhe lëvizjet e fundit të deputetëve, janë rezultat i propagandës serbe në Kosovë.

“Kur Rama e Vuçiq kalonin ditët e orët e mjaltit në Beograd, në Prishtinë pati filluar greva e arsimtarëve. Kjo grevë filloi me bekimin e partive opozitare të Kosovës. Them të atyre opozitarëve që para Kosovës kanë vënë interesat personale. Me këtë dua të them se jo të gjithë opozitarët venë interesat e pushtetit mbi interesat e Kosovës. Por pjesa, së cilës nuk i dhemb aq shumë fati i Kosovës manipulon më fort, ka pasuri e shpërblehet për çdo aksion politik destabilizues në Kosovë. Kjo pjesë jo vetëm mbështet me gjithçka grevën e arsimtarëve për t’i lënë fëmijët shqiptarë analfabetë, por blen dhe udhëheq trafikun e deputetëve në parlament e të këshilltarëve komunalë. Shihni propagandën pro-serbe në Kosovë sa e përkushtuar është për trafikun e deputetëve. Ky qëndrim paguhet e vjen me porosi nga kryeministria e Tiranës dhe disa opozitarë. Ndoshta edhe nga kreu i Listës Srpska e madje nga Beogradi”, shprehet Bytyçi.

Po çfarë fshihet pas kësaj sipas profesor Bytyçit?

“Vuçiq dhe Rama kanë vendosur të ndryshojnë mazhorancën në parlamentin e Kosovës. D.mth të trafikojnë disa deputetë dhe qeveria ta humbë mbështetjen e shumicës. Në këtë rast ata llogarisin që të formojnë një mazhorancë të re. Nuk duan të shkojnë në zgjedhje të parakohshme. Krijimi i një mazhorance të re sjell në pushtet njerëzit e Beogradit në Prishtinë. Gjithashtu miqtë e Edi Ramës. Kur them “njerëzit e Beogradit në Prishtinë” më së pari kam parasysh miqtë e Edi Ramës. Është njësoj sit ë punosh për Ramën, si të punosh për Beogradin. Nuk ka asnjë ndryshim. Por unë nuk e përjashtoj mundësinë që disa të jenë lidhur me Serbinë, para se ata të bëhen miqtë e Edi Ramës”, thekson Bytyçi.

Ai më tej, tregon edhe skenarin e Vuçiqit, i cili është në koordinim me Edi Ramën.

“Çfarë mund të ndodhë më pas? Vuçiq me ndërmjetësinë e Ramës, do të mundësojë një marrëveshje të dobishme për Serbinë. Pikërisht për këtë arsye ai tha se “Nuk do ta njohë Kosovën”. Është në kërkim të kohës më të mirë dhe erës së ngrohtë që pret të fryjë në Prishtinë. Prandaj kërkon të vonohet. Të mos bindet. Të mos pranojë këshillat e evropianëve. Çfarë mund të bëhet në këtë rast?! Nëse ndodh që të krijohet një qeveri e re, atëherë hyn në lojë roli i presidentes, e cila do të duhet të bëhet heroina e mbrojtjes së Kosovës. Nëse ndodh që në bisedime diskutohet për një marrëveshje të favorshme për Serbinë e të dëmshme për Kosovën, atëherë VV do të duhet ta nxjerrë popullin në sheshe e në rrugë. Ta paralizojë jetën e vendit. Kjo mund të shkaktojë një vit si ai i 1997-ës në Shqipëri. Keq është kjo. Por më mirë është të protestosh e të bllokosh institucionet, sesa t’ia shesësh Kosovën Serbisë”, deklarom Bytyçi.

“Por Albin Kurti duhet që të llogarisë rrugët që të çojnë te zgjedhjet e parakohshme, në 45 ditë. T’ua lerë pataten e nxehtë në dorë edhe Vuçiqit, edhe Ramës, edhe bashkëpunëtorëve të tyre në Kosovë! Mundësitë i ka. Nëse në kushtet e tilla Kosova shkon në zgjedhje të reja, fitorja do të jetë e sigurt për mazhorancën e sotme. Mund të ketë pak rritje LDK, por do të humbasin shumë PDK e AAK!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.