“Sondazhet tregojnë rënien e përkrahjes së VV’së në diasporë, prandaj Kurti i quajti analfabetë”

Nënkryetarja e PDK’së, Vlora Çitaku, ka thënë se Kryeministri Albin Kurti e bëri deklaratën e sotme për mërgimtarët që punojnë si punëtorë krahu në Gjermani, meqë sondazhet tregojnë se ka rënë përkrahja për Lëvizjen Vetëvendosje në diasporë.

Sipas saj, Kurti e ka parë diasporën vetëm si votë që e përdorë kur i nevojitet dhe pastaj e braktis.

“Albin Kurti i ka parë sondazhet e njëjta nga diaspora që i kemi parë edhe ne. Prandaj, ai sot i ofendoi bashkatdhetarët tonë në diasporë duke i quajtur analfabetë. Edhe PDK-ja ka pasur në zgjedhjet e kaluara rënie votash në diasporë, por ne asnjëherë nuk i kemi ofenduar e përbuzur bashkatdhetarët tonë.
Vetë themeluesit e partisë sonë e kanë ngjizur aktivitetin e tyre për çlirimin e Kosovës në diasporë, në mesin e bashkatdhetarëve tonë. Prandaj, duke e respektuar diasporën, ne e kemi respektuar historinë tonë. Pavarësisht se si voton diaspora. Sepse ne diasporën nuk e shohim si votë, por si aset kombëtar. Albini e ka parë diasporën vetëm si votë që e përdor vetëm kur i nevojitet dhe pastaj e braktis”, ka shkruar Çitaku.

Ndryshe, Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar ashpër SBASHK-un e cila ka organizuar grevë në gjithë shkollat në vend.

Kurti ka thënë se humbja e ditëve pa mësim është një përgjegjësi shumë e madhe, meqë duke menduar vetëm për paga e duke nxjerrë analfabetë funksional njerëzit po përfundojnë vetëm në asistencë sociale, raporton Express.

Kurti ka thënë se një gjë e tillë reflektohet edhe në zhvillim ekonomik, meqenëse sipas tij kur nuk nxjerr kuadro të mira arsimore, atëherë prodhon ose njerëz për asistencë sociale ose punëtorë krahu në Gjermani.

“Të krijosh ditë pa punë për mësimdhënësit dhe ditë pa mësim për fëmijët është përgjegjësi tejet e madhe. Nuk është veç politike e shoqërore, është historike, sepse pikërisht duke nxjerrë analfabetë funksional e duke menduar veç për paga po përfundojnë njerëzit veç për asistencë sociale. Kjo reflektohet automatikisht në zhvillim ekonomik mandej. Kur ti nuk nxjerr kuadro të mira arsimore, atëherë prodhon ose njerëz për asistencë ose punëtorë krahu në Gjermani. Ne duhet ta rregullojmë sistemin arsimor”, ka thënë Kurti