




Aktivistë të PSD’së sot gjatë ditës e kanë gjuajtur me miell ministrin Hekuran Murati pas një konference për media që ky e pati me Kryeministrin Albin Kurti.
Zyrtarë të PSD’së të cilët këto veprimtari i kanë mësuar nga Kurti, thanë se veprimi i tyre u bë për shkak të mosekzekutimit të pagave -” këtë e ke për punëtorët”, thanë ata.





Vetë Murati, i cili nuk rezistoi kur dy aktivistët e PSD’së Zgjim Hyseni e Nol Nushi e gjjuajtën me miell, nuk ka bërë ndonjë reagim.
Por, në mbrëmje reagoi këshilltari i Kurtit, Jeton Zulfaj, dikur pjesë e shoqërisë civile. Në bazë të këtij reagimi, Kurtit, duket se i ka humbur dëshira dhe reflekset për kundërshtim.
Veprimi i PSD iu duk huligan. Aty u theksua se aksioni ndodhi në ditën kur Murati njoftoi për 150 milionë euro ndihma.





“Të sulmosh ministrin Hekuran Murati në emër të punëtorëve, ditën kur ai lajmëron ndihmë financiare qindra milionë euro për të gjithë punëtorët tregon krizën e thellë të mungesës së parimeve, ideve dhe të kauzës të atyre që e sulmuan. E kur mungojnë parimet, idetë dhe kauza, ky aksion është asgjë më shumë se një veprim huligan, i neveritshëm dhe me plotë urrejtje” shkroi këshilltari i Kurtit.
Në të kaluarën, Vetëvendosje ka përdorur metoda të tilla duke i gjuajtur me ve zyrtarët e Qeverisë.
Mbahet mend sulmi me ve ndaj Hajredin Kuçit kur ishte Minister i Drejtësisë dhe Petrit Selimit si Zëvendësministër i Jashtëm.