Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pas pakos ekonomike që u propozua sot nga Qeveria.
Sipas tyre, paqja sociale nuk blehet me 50 euro e as me 100 euro.
“Paqja sociale nuk blehet me 50 e as me 100 euroQeveria po ia nxjerr sytë e po ia ngjet vetullat këtij populli. Këto masa që sot janë propozu nga Qeveria, janë vërtetë mashtrim i ultë që iu bëhet qytetarëve të vendit me paratë publike”, thuhet në reagimin e tyre.
Në reagimin e tyre përmenden edhe deklarimet e Kurti për komunat, duke thënë se është ofendimi më i madh që mund t’u bëhet atyre.
“Të bllokohen investimet kapitale duke i lënë pa punë 60% të punëtorëve të ndërmarrjeve kontraktuese për punë në sektorin publik e të ndahen ato para për ndihma sociale, është veprim anti ligjor, antikushtetues dhe ofendues për popullin e Kosovës. Sulmet që kryeministri u bën komunave për, siç shprehet ai, sulm ndaj shtetit, janë ofendimi më i madh që u bëhet atyre. Kryeministri më mirë është ta ndërrojë ministrin e vet, sepse komunat nuk mund t’i ndërrojë”.
AAK’ja thotë se pakoja e prezantuar nga Kurti është mashtrim ordiner. Sipas tyre kriza nuk kapërcehet me lëmoshë.
“Qeveria duhet të ndërmarrë masa serioze duke filluar nga miratimi urgjent i ligjit të pagave, zvogëlimi i taksave, heqja e përkohshme e TVSH për produktet esenciale, zhbllokimi i buxhetit, rishikimi i kontratave e masa të tjera lehtësuese. Paqja sociale nuk blehet me 50 e as me 100 euro!”