Kanë mbetur edhe pak ditë deri në fillimin e zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë. E derisa në mes Kosovës dhe Serbisë, dje është arritur marrëveshja për dokumente, mbetet që më 1 shtator të aplikohet vendimi për targa.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha nuk ka marrëveshje për targat dhe se vendimi i institucioneve të Kosovës do të fillojë së zbatuari më 1 shtator. Megjithatë, ai përmendi një afat prej dy muajsh, duke mos dhënë më shumë detaje. Detaje për këtë afat nuk kanë dhënë as institucionet e Kosovës.
Marrëveshje për targat dhe energjinë kërkuan dje edhe përfaqësues ndërkombëtarë. E derisa vendimet nisin së zbatuari, tensionet në veri janë në rënë fal angazhimit të përfaqësuesve të SHBA-së dhe BE-së, si dhe vendosjes së KFOR-it dhe EULEX-it në atë pjesë të vendit.
Lidhur me këtë, qytetarët serbë të veriut nuk kanë pranuar të flasin me arsyetimin se nuk pyeten, nuk dëgjohen dhe as nuk janë ata që vendosin. Kurse, analistët kanë shprehur mendime të ndryshme sa i përket mundësisë së tensioneve.
Politologu Musa Preteni, duke folur për KosovaPress, 1 shtatorin e quan ditë shumë të rëndësishme për të dyja palët e përfshira në negociata, pasi bëhet fjalë për shtrirjen e sovranitetit ose kontrollit të pjesës veriore nga njëra palë.
Sipas tij, janë dy opsione që mund të ndodhin atë ditë, e para, eskalim i situatës dhe rezistencë nga ana e serbëve për të penguar qëllimin e Prishtinës zyrtare, dhe opsioni i dytë për të cilin u shpreh se është më i mundshëm, rrjedhë normale dhe vendosje e reciprocitetit nga ana e Kosovës për çështjen e targave dhe të dokumenteve.
Në këtë rast, shtoi ai, Serbia do të shfrytëzojë maksimalisht momentumin për të arritur qëllimin e saj final, e që është krijimi i asociacionit të komunave serbe.
“1 shtatori besoj është një moment shumë i rëndësishëm për të dyja palët që janë të përfshira në negociata, në këtë rast për Serbinë dhe Kosovën, sepse është çështje e shtrirjes së sovranitetit ose të kontrollit të pjesës së veriut nga njëra palë. Unë më 1 shtator shoh dy opsione të mundshme, njëri opsion është eskalimi i situatës ose rezistencë nga serbët e veriut të cilët kontrollohen prej Qeverisë së Serbisë, dhe një pamundësim i shtrirjes së sovranitetit përmes vendimit për reciprocitet. Opsioni I dytë që besoj se është më i mundshëm, është që 1 shtatori të vazhdojë të rrjedhë normalisht, Kosova të vendosë reciprocitet me Serbinë për çështjen e targave dhe të dokumenteve, por duket se Serbia do ta shfrytëzojë maksimalisht këtë momentum për të realizuar qëllimin e saj final, e që është asociacioni i komunave me shumicë serbe”, ka thënë Preteni.
Analisti serb, Branisllav Kërstic, u shpreh i sigurtë se nuk do të ketë eskalim të situatës dhe serbët do të binden se propaganda që vie nga Beogradi për kinse një plan të dëbimit të tyre ka qenë një gënjeshtër klasike.
Ai potencoi se siguria e serbëve do të jetë e garantuar, duke përmendur këtu dy arsye.
E para, sepse forcat e KFOR-it janë riaktivizuar dhe pozicionuar sërish në veri dhe e dyta, njësitë speciale të policisë së Kosovës nuk do të kenë nevojë të shkojnë në atë pjesë për të zbatuar aksione të caktuara, meqë atje ndodhet KFOR-i.
Ai ka përmendur edhe një element tjetër të rëndësishëm, duke thënë se tashmë ka ardhur koha që ai i cili e ka armatosur popullatën në atë pjesë, duhet ta çarmatosë, në mënyrë që një gjë të tillë mos ta bëjnë pjesëtarët e KFOR-it ose të njësisë speciale të Policisë së Kosovës.
“Është shumë e sigurtë se 1 shtatorin do ta presim me probleme me të cilat ballafaqohet çdo familje. Do të thotë, a do të kemi rrymë, dru mjaftueshëm për ngrohje, a i kemi përgatitur librat për fëmijët dhe të gjitha ato që janë të nevojshme për fillimin e vitit shkollor. Absolutisht jam i sigurt se nëse e kemi parasysh që zyrtari i lartë i administratës amerikane po insiston në zgjidhjen paqësore në një momentum të quajtur konfliktuoz në Kosovë, atëherë një momentum i tillë do të ndodhë… Kjo për dy arsye, e para, forcat e KFOR-it, janë riaktivizuar dhe pozicionuar sërish në veri të Kosovës. Kjo në përkthim do të thotë se FSK-ja s’ka çka kërkon në veri sepse atje është KFOR-i. Pika e dytë do të ishte se njësitë speciale të Policisë së Kosovës nuk mund të vinë në veri dhe të zbatojnë aksione të caktuara dhe për këtë të mos jetë i informuar KFOR-i, përkatësisht autoritetet ndërkombëtare në Kosovë, sepse edhe nëse vijnë, KFOR-i është aty… Këto dy arsye të cilat i theksova garantojnë sigurinë e serbëve, përkatësisht iu garanton serbëve se propaganda dhe gënjeshtrat që vijnë nga Beogradi se serbëve po u kanoset dëbimi, është një e pavërtetë klasike. Ekziston edhe momentumi i tretë i cili tregon faktin se ai që i ka armatosur serbët në veri të Kosovës, tani duhet t’i çarmatosë, në mënyrë që këtë gjë të mos e bëjë KFOR-i ose njësitë speciale të Policisë së Kosovës”, theksoi për KosovaPress Kërstiq.
Edhe Agim Deva, ish kandidat për kryetar të komunës së Mitrovicës Veriore dhe dikur përfaqësues i shqiptarëve të veriut, ka mohuar mundësinë e krijimit të një situate të tensionuar.
Sipas tij, falë angazhimit të Evropës dhe SHBA-së, gjithçka do të shkojë si duhet dhe nuk do të ketë incidente.
“Ka ardhur te mirëkuptimi si i njërës ashtu edhe pjesës tjetër, duke falënderuar Evropën dhe interesimin e SHBA-së, besoj se tensionet kanë rënë, ekziston mirëkuptimi dhe kam bindjen se gjithçka ka me qenë në rregull, nuk ka me pas kurrfarë incidenti dhe çdo gjë ka me u kry si duhet”, tha ai.
Në anën tjetër, gazetari nga Mali i Zi, Ljubomir Filipovic, gjatë një tryeze të shtunën në Prishtinë, përmendi rastin ku institucionet e Malit të Zi, janë sulmuar nga hakerët rus, derisa shtoi se është e frikshme çka presin të ndodhë javën e ardhshme në Kosovë, e që nuk përjashtoi mundësinë edhe për sulme nga hakerët rus.
“Dje kam folur me një koleg nga partia qeverisëse në Kosovë dhe ajo çka prisni ju në javën e ardhshme të ndodhë në Kosovë, është e frikshme dhe kur përzihet kjo me disa informacione të inteligjencës që i kanë amerikanët kur flitet për mundësitë e kërcënimeve të sigurisë në Kosovë, mund të kemi frikë se diçka e ngjashme mund të ndodhë edhe këtu ”, u shpreh Filipoviq. /KP