Ridvan Berisha lajmërohet me një parashikim: Albin Kurti po kërkon zgjedhje të parakohshme

Ridvan Berisha, ish-kryeredaktori i RTK-së dhe autori i emisionit “Debat” në televizionin publik, thotë se kryeministri Albin Kurti po kërkon zgjedhje të parakohshme për ta ideuar një formulë politike të koalicionit të gjerë, pasi është lodhur nga dialogu me Serbinë dhe presioni ndërkombëtar.

Ai në një postim në Facebook ka theksuar se kryeministri po ashtu është lodhur edhe nga performanca e dobët e qeverisjes përbrenda.

“Kurti po kërkon zgjedhje të parakohshme për ta ideuar një formulë politike të koalicionit të gjerë. Është i molisur nga dialogu me Serbinë, e tash e ka përjetuar edhe presionin ndërkombëtar, kur më herët thoshte se nuk e di se çka d.m.th ky presion”, ka thënë Berisha.
Duke kujtuar se uniteti në raport me Serbinë është jetik, Berisha shprehet skeptik nëse kryeministri Kurti është adresa premtuese e këtij uniteti.

“Për çdo ditë Kurti po shtrëngohet t’i përtypë me zor fjalët e zotimet e tij dhe fare nuk po skuqet. Është i molisur edhe nga performanca e dobët e qeverisjes përbrenda”, ka shkruar ai.