




Beogradi do të vazhdojë fushatën ndërkombëtare për çnjohje të Kosovës, deklaroi sekretari i ministrisë së jashtme serbe, Nemanja Staroviç.
Kampanjën lobuese serbe për çnjohje të Kosovës, Staroviç e quajti “të suksesshme në çdo kuptim” dhe shtoi se “që nga 2017, 23 shtete ua kanë tërhequr njohjen”.
“Fakti se më pak se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së nuk e njohin Kosovën ia parandalon Prishtinës punën për të marrë statusin e shtetit vëzhgues”, i tha ai teleivizionit “Pink”.
Vetë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, pas dorëzimit të aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, kishte deklaruar se kanë siguruar “çnjohjen e katër shteteve tjera ndaj Kosovës”.





Këto pohime as nuk i ka dëshmuar Vuçiç e as nuk janë konfirmuar në nivele bilaterale të Kosovës me këto shtete të supozuara çnjohëse.
Në lidhje me deklarimin për media të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, se shtetet e QUINT-it i kanë dhënë mbështetje masave të qeverisë kosovare, Staroviç tha se “nuk mendoj se është krejtësisht kështu”.
“Presidenti Vuçiç tha se nuk mund ta thotë me siguri se të gjitha shtetet e QUINT-it qëndrojnë prapa Kurtit, në fund ata do të mbështesin, por jo të gjitë shtetet e QUINT-it janë frymëzuesit e veprimeve të Kurtit”.





Staroviç kryeministrin kosovar e quajti “fëmi që po teston kufijt e veprimit mbi presupozimin se ka mbështetjen e perëndimit”.
Madje, përveç kësaj, masat dhe qasjen e Kosovës në dialog me Serbinë ai e cilësoi “bast të Albin Kurtit”, për të cilën u shpreh se “dëshiron qartazi të krijojë konflikt”.
Diplomati serb tha se nëse skenari i 31 korrikut përsëritet “çështja mbetet se si do të reagojë KFOR-i”.
“A do t’u jep mbështetje shqiptarëve apo do të merr pozicion neutral”, tha ai.