Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar pasi drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, u shfaq në një konferencë për media të premten duke i reklamuar tabelat KS.
Petkoviq duke folur për takimin e djeshëm në Bruksel, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dhënë dy propozime në tavolinën e bisedimeve, por që të dyja, sipas tij, i ka refuzuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Derisa ai ka folur për këto dy propozime, para mediave ka shfaqur një ilustrim të tabelave, ku shkruan “KS”.
“Por, ne kemi propozuar që të gjithë pronarët e automjeteve që kanë targa KM të riregjistrohen me targa KS. Kurti ka refuzuar këtë kategorikisht”, ka thënë Petkoviq.
Ndaj, ka reaguar Vela, i cili përmes një postimi në Twitter ka akuzuar Petkoviqin se po shpërndan dezinformata.
Shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela
Vela është shprehur se janë humbur shtatë muaj negociata për këtë çështje duke shtuar se Petkoviq ka thënë se Vuçiq do të takohet me strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë.
“Petkoviq shpërndan dezinformata për targat e Kosovës dhe dokumentin e hyrje/daljes. Humben 7 muaj negociata për këtë çështje. Njoftoi se Vuçiq do të takohet me përfaqësues të strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë, të cilat duhej të ishin shpërbërë sipas marrëveshjeve të Brukselit”, ka shkruar ai.
Vela tutje është shprehur se shumica e serbëve të Kosovës kanë letërnjoftime dhe targa të veturave kosovare dhe nuk do të preken nga masat e reciprocitetit.
“Shumica e serbëve të Kosovës kanë letërnjoftime dhe targa të veturave kosovare dhe nuk do të preken nga masat e reciprocitetit. Megjithatë, targat e paligjshme të makinave KM do të zëvendësohen me çështje legale të targave nga institucionet e Kosovës dhe qytetarëve që udhëtojnë me letërnjoftime të Serbisë do t’u jepen dokumente hyrje/dalje kur të hyjnë Kosovë”, ka shtuar ai. /Telegrafi/
⛔️ Petković spews disinfo about 🇽🇰 car plates and entry/exit document.
📍Forfeited 7 months of negotiations on this matter.
📍Announced that Vučić will meet with reps of #Serbia’s illegal structures in #Kosovo, which should have been disbanded according to Brussels agreements. pic.twitter.com/BFgaXYoxVR
— Blerim Vela (@Blerim_Vela) August 19, 2022