




Shtetet e Bashkuara u bënë thirrje të enjten Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë dialogun, pasi takimi mes palëve në Bruksel përfundoi pa rezultat.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha në konferencën e përditshme për shtyp se Uashingtoni po e ndjek me vëmendje dhe përparësi situatën.
“Nga ajo që dimë është se bisedimet po vazhdojnë. Ne, në partneritet me BE-në po e ndjekim me kujdes dhe inkurajojmë të dyja palët që të shfrytëzojnë dialogun në mënyrë efektive dhe u sugjerojmë palëve që të vazhdojnë dialogun”, tha Price.





Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit shtoi se Uashingtoni e përkrah në tërësi dialogun dhe tha se është me rëndësi që të dyja palët të shfrytëzojnë këto bisedime në mënyrë efektive, duke përsëritur qëndrimin e Uashingtonit se atë uhet të “çojnë përpara diskutimin për normalizim marrëdhëniesh që ka në qendër premisën e njohjes së ndërsjellë”.
Price tha se zyrtari i Departmentit të Shtetit, Gabriel Escobar krahas ambasadorit të SHBA-së në BE, Mark Gitenstein janë duke i vëzhguar diskutimet nga afër në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe shtoi se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken është i angazhuar personalisht.