Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk i zgjati dorën shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borell. Kjo, interpretativisht, do të çonte në zgjatdorje të pjesëmarrësve të tjerë në takim – e që, si rrjedhojë do të çonte edhe në zgjatdore me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që është edhe interlokutori i Vuçiq.
Së paku publikisht, çfarë edhe përbën mesazhin kryesor, Kurti dhe Vuçiç asnjëherë s’kanë shtrënguar dorën, nga 3 takime sa kanë pasur deri më sot në kuadër të dialogut të Brukselit.
Nëse kthehemi mbrapa në historinë e negociatave Kosovë – Serbi, ato kishin filluar në tetor të vitit 2012, në Bruksel, ku ishin takuar kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq.
Shtërngimi i parë publik i duarve dhe një konferencë e përbashkët për media kishte ndodhur tek në takimin e marsit të vitit 2013, dhe kjo kishte përbërë edhe për mediat e huaja. Gazeta kroate Veçernji List, e kishte pasqyruar këtë takim me titullin ‘Daçiq dhe Thaçi shtërnguan duart për herë të parë publikisht’. Kjo kishte ndodhur pasi dialogu kishte filluar të jepte rezultate, dhe palët po pajtoheshin për çështje konkrete, duke nënshkruar edhe marrëveshje.
Relaksimi i shkaktuar nga Thaçi e Daçiq, kishte vazhduar më pas me liderët tjerë të Kosovës dhe Serbisë. Më nuk bëhej temë shtërngimi i duarve, edhe nëse në dialog vendet përfaqësoheshin nga Aleksandar Vuçiq, Tomislav Nikoliq, Ana Brnabiq në njërën anë, apo Isa Mustafa, Atifete Jahjaga e Ramush Haradinaj në anën tjetër.
Por gjendja ka ndryshuar me ardhjen e Albin Kurtit në krye të qeverisë së Kosovës. I njohur për retorikën e tij të ashpër kundërshtuese ndaj dialogut dhe marrëveshjeve me Serbinë, kryeministri kosovar e presidenti serb ende nuk i kanë dhënë dorën njëri – tjetrit, të paktën publikisht.
Teza më popullore rreth asaj se si ka lindur “zgjatja e dorës”, në kuptimin formal përshëndetës, është përçimi i qëllimeve paqësore.
Duke ia zgjatur dorën e zbrazur Tjetrit, qysh në antikitet shihej si shenjë mirëbesimi ngase nuk mbaje armë në dorë e nuk kishte qëllimi sulmi ndaj Tjetrit.
Andaj, në këtë linjë gjenealogjike, edhe sot përshëndetja përmes zgjatjes së dorës është akt themelor i civilitetit.
Megjithatë, moszgjatja përshëndetëse e dorës, në kuptimin normativ shoqërorë, shihet si e pranueshme kur dikush nuk pajtohet me dikë ose ka një shkëputje komunikimi për qëllime të shumta, që këtu nuk ka nevojë të elaborohen.
Ky dialog, definicionalisht, emërtohet si “Dialog për Normalizim të Plotë të Marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës”, e së fundmi, por që nuk përmban efekte detyruese ligjore, përmes një rezolute të miratuar në Parlamentin Evropian, kërkohet të konkludohet në “njohje të ndërsjellë”.
Marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe zgjidhja e problemeve politike, territoriale, njerëzore është parakusht i parakushteve për anëtarësim në BE edhe për Serbinë edhe për Kosovën, e në kontekstin aktual, sidomos për Serbinë.
Kjo ngase Serbia është vend kandidat për BE-në, e cila edhe ka përmbushur një numër të kapitujve negocues. Një nga kapitujt negocues, i dedikohet normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, përmes “një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme” për normalizim të plotë të marrëdhënieve.
Zgjatdorja, përkatësisht moszgjatdora, është indikatorja që normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, pavarësisht takimeve të numërta ndër vite, nuk duket në horizont.