Në rundin e dialogut në Bruksel, Serbia ka prezantuar propozime për zgjidhjen e çështjes së targave dhe dokumenteve serbe para 1 shtatorit, por ato nuk janë pranuar nga Kosova.
Kështu deklaroi më 19 gusht, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, gjatë një konference për media të mbajtur në Beograd.
Sipas tij, propozimi i parë kishte të bënte me letërnjoftimet dhe se Serbia ishte e gatshme të pranonte atë që ishte rënë dakord në Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes nga viti 2011, edhe pse, siç tha Petkoviq, ajo marrëveshje, që ishte arritur nga ish-negociatorët Borko Stefanoviq dhe Edita Tahiri, “nuk ishte mirë”.
Ai shtoi se Serbia ishte e gatshme të lëshonte një dokument për hyrje-dalje për “qytetarët e Serbisë që banojnë në Serbinë qendrore, kur të shkojnë në Kosovë dhe Metohi, në vendkalimin administrativ të Prishtinës”, por se kjo nuk do të vlente për serbët nga Kosova.
“Serbët që jetojnë në Kosovë nuk janë serbë që, sipas pikës tre [të Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes të vitit 2011], udhëtojnë transit në një vend të tretë. Destinacioni përfundimtar i serbëve që jetojnë në Kosovë nuk është Shqipëria e Greqia. Destinacioni i fundit është pragu i shtëpisë së tyre”.
Propozimi i dytë i Serbisë, tha Petkoviq, lidhej me targat.
“Propozimi është që t’i përmbahemi sërish marrëveshjes së vitit 2011”, tha Petkoviq, duke deklaruar se një gjë e tillë parasheh kalimin në targa RKS dhe kufizime në targat KS , duke akuzuar sërish Borko Stefanoviqin për një marrëveshje të tillë.
“Por, ne kemi propozuar që të gjithë pronarët e automjeteve që kanë targa KM të riregjistrohen me targa KS. Kurti ka refuzuar këtë kategorikisht”, tha Petkoviq.
“Kemi ofruar dy zgjidhje, kemi qenë shumë konstruktivë, kemi dashur të gjejmë një mënyrë për të dalë nga kjo krizë, t’i përmbahemi të gjitha marrëveshjeve dhe të shohim se si t’i zgjidhim çështjet e tjera të rëndësishme në atë mënyrë. Kurti i refuzoi të gjitha”, shtoi ai.
Në pyetjen se çfarë duhet të ndodhë tani, Petkoviq tha se nga sot “do të fillojnë bisedimet me të gjithë, me çdo person, zyrtar të lartë, përfaqësues të disa prej vendeve të fuqishme, me të gjithë ata që mund të na ndihmojnë të arrijmë paqen dhe stabilitetin. Dje i përfunduam bisedimet pa zgjidhje, nuk jam optimist, por do të bëjmë gjithçka mundemi”. /REL