“Sipas kushteve që parashtron pala serbe në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, përvesh shkeljeve të rënda të kushtetutës, cenimit të sovraniteti dhe integritetit territorial të shtetit të Kosovës, synohet përfundimisht shpërbërja nga brenda e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.
Pushteti aktual i Serbisë, i cili për asgjë nuk e ka ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës dhe shqiptarëve nga regjimi i dikurshëm i kriminelit Millosheviq, nuk do të mjaftohej edhe sikur Kosova të njihej nga faktori ndërkombëtar si Republika e Kosovës në federatë me Serbinë, ruana Zot!
Edhe kështu siç është, Republika e Kosovës, me mbi 90% të popullsisë shqiptare, e kufizuar në të gjitha anët me territore, krahina, qytete dhe vendbanime me shumicë të popullsisë shqiptare, realisht duhet të njihet nga Kombet e Bashkuara me fusnotë, të përcjellë me akt shpjegues nga OKB, se bëhet fjalë për Republikën e Kosovës njësi e dikurshme e ish-Federatës së Jugosllavisë, e cila e ka shpallur Pavarësinë e saj më 1991, ndërsa është çliruar me luftë kundër okupatorit serb më 1999, me përkrahjen e faktorit ndërkombëtar, SHBA, BE dhe NATO, pas shpërbërjes së ish-Federatës së Jugosllavisë së përbashkët, jo për Kosovën shtet etnik i pavarur, një pjesë e madhe nga territori i së cilës edhe më tej kanë mbetur nën Republikën e Serbisë; në territorin aktual të së cilës aktualisht ka më tepër shqiptarë të cilëve u mohohen të drejtat kombëtare më elementare, se sa ka serbë në Kosovë me të drejta të garantuara sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.
Me këtë rast, jo se nuk e dinë, por udhëheqësit e Kosovës duhet t’ua përkujtojnë përfaqësuesve të shteteve anëtare të OKB-së të gjitha rastet, e veçmas pastrimin etnik të krahinës së Toplicës, me qendër në Nish; shkëputjen nga territori i Kosovës dhe aneksimin e Luginës së Preshevës disa vite pas krijimit të ish-Federatës së Jugosllavisë, më 1947; aneksimin dhe asimilimin me dhunë e terror të krahinës së Sanxhakut, krahinës së dikurshme ilire-dardane të Rrasës, nga Mbretëria Jugosllave e dikurshme, trashëgimtare e së cilës ka qenë ish-Federata e Jugosllavisë dje, dhe është Republika e Serbisë sot.
Kështu mund të respektohen në tërësi parimet e së drejtës ndërkombëtare, e jo duke i mundësuar një shteti agresor si Serbia, e cila mbi një shekull ka kryer gjenocid dhe krime monstruoze ndaj popullit të pambrojtur shqiptar të Kosovës, të parashtrojë edhe më tej kushte dhe të shpreh pretendime territoriale ndaj shtetit të pavarur të Kosovës, në bisedimet që zhvillohen edhe aktualisht mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar.
Armiku, ta gjen ditën dhe ta nxjerr dritën, thotë populli, por ditën më të zezë Kosovës ia kanë sjellë vetë udhëheqësit e saj, të cilët për pushtet, pasuri dhe interesa personale e kanë harruar që moti mallkimin e gjakut, amanetin e dëshmorëve, çmimin e lirisë, shtetin e Kosovës dhe Zotin!”.
Abdulla Mehmeti