“Nuk mund të flija”. Apo: “dhoma ime ishte shumë e zhurmshme”, mund të jenë ankesat që hotelierët druhen të marrin nga klientët, por për vëllezërit Riklin kjo është pika e fortë e ‘zeros’ së tyre: një hotel me asnjë yll!
Dhoma e hotelit të artistëve konceptualë zviceranë është në thelb një krevat dopio në një platformë, me dy komodina dhe llamba. Nuk ka mure, tavan apo dyer për të siguruar ndonjë privatësi apo strehë të mbyllur.
Ata kanë ngritur “suitën” e tyre të ashpër me zero yll – në një anë të rrugës pranë një pike karburanti në fshatin Saillon, në kantonin jugor zviceran të Valais, raporton noa.al duke cituar Reuters.
Synimi është që t’i bëjnë mysafirët të mendojnë për problemet në botë – thanë vëllezërit binjakë – dhe t’i frymëzojmë ata të shohin botën ndryshe.
Pronarët kanë ngritur shtretër të ngjashëm në pika idilike, por ky krevat që shikoni është “suita” e parë ‘anti-idilike’.
“Gjumi nuk është qëllimi”, tha Frank Riklin. “Ajo që është e rëndësishme është reflektimi për situatën aktuale botërore. Qëndrimi këtu është një thirrje për nevojën për ndryshime urgjente në shoqëri.”
Klientët janë të ftuar në ‘gjysmë gjumin’ e këtij “hoteli” për të reflektuar mbi tema si ndryshimi i klimës, lufta dhe kërkimi i pafund i njerëzimit për përsosmërinë, si dhe dëmin që i shkakton planetit.
“Me pak fjalë, tani nuk është koha për të fjetur, duhet të reagojmë”, thotë Patrik. “Nëse vazhdojmë me të njëjtin ritëm që jemi sot, mund të ketë më shumë vende anti-idilike sesa idilike.”
Projekti, i cili është zhvilluar me hotelierin Daniel Charbonnier, përfshin gjithashtu tre suita të tjera të ashpra në një vresht më idilik dhe në një kodër piktoreske.
Suitat, të cilat vijnë me shërbimin e shërbëtorit që ofron pije dhe mëngjes, do të jenë të disponueshme nga 1 korriku deri më 18 shtator. Çmimi për një gjumë të papërsosur është 325 franga zvicerane apo 340 euro nata. /noa.al