Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se kjo ministri ka realizuar planin e punës në përqindje prej 77 për qind.
Mehaj theksoi se Ushtria e Republikës së Kosovës është e gatshme ta mbrojë çdo cep të territorit, njofton Klankosova.tv.
“Ju njoftoj që Ministria e Mbrojtjes ka realizuar planin e punës në përqindje prej 77%.
Pra, gjatë periudhës janar-qershor 2022, janë realizuar 106 aktivitete nga 137 të planifikuara. Megjithatë, ne do të punojmë që efikasiteti të rritet edhe më shumë”, ka thënë Mehaj.
“Sa i përket transparencës dhe llogaridhënies, ne mbetemi të përkushtuar që atë ta ngremë në nivelin më të lartë. Ministria e Mbrojtjes do të jetë e hapur për publikun për çdo gjë që lejohet të ketë qasje publike, përjashto informatat e klasifikuara”, shtoi ai.
“Ushtrinë e Republikës së Kosovës do ta përgatisim dhe forcojmë çdo ditë, ajo është e gatshme ta mbrojë çdo cep të territorit të Republikës. Ngritja e ushtrisë sonë në nivel të ushtrive të vendeve të NATO-s është mision i yni që do ta përmbushim patjetër”.