Shkoi në Australi, gjobitet 1 mijë e 846 dollarë pasi kishte ushqim me vete

Një pasagjer që fluturonte nga Bali i Indonezisë për në Darvin të Australisë është gjobitur me 1 mijë e 846 dollarë pasi iu gjetën produkte të McDonald’s, të njohura si McMuffins me vezë dhe salsiçe viçi.

Vakti i ushqimit u nuhat nga një qen zbulues biosigurie, teksa ministri i Bujqësisë, Peshkimit dhe Pylltarisë së Australisë, Murry Watt, tha se secili që udhëton për në vendin e tij duhet t’iu bindet masave strikte të vendosura nga Australia.

“Biosiguria nuk është shaka, ajo ndihmon në mbrojtjen e vendeve të punës, fermave tona, ushqimit dhe mbështet ekonominë. Pasagjerët që zgjedhin të udhëtojnë duhet të sigurohen që po plotësojnë kushtet për të hyrë në Australi, duke ndjekur të gjitha masat e biosigurisë”, u shpreh Watt, shkruan abcnews, transmeton Klankosova.tv.

Australia ka politika të rrepta për importimin e produkteve ushqimore në përpjekjen e saj për të mbajtur sëmundjen e quajtur “e Afta Epizootike” jashtë vendit. Mishi i sekuestruar do të testohet për sëmundjen e Aftës Epizootike përpara se të asgjësohet.