Palokaj: Deri në fund të vitit besoj që do të kalojë vendimi për liberalizim të vizave

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, beson se deri në fund të këtij viti do të kalojë vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë.

I ftuar të hënën në emisionin 60 Minuta të KTV-së, Palokaj ka thënë se asnjëherë më parë nuk ka parë atmosferë më pozitive për liberalizimin e vizave sesa momentalisht.

“Asnjëherë gjasat nuk kanë qenë më të mëdha që liberalizimi i vizave të ndodhë dhe nëse nuk ndodhë ndonjë befasi e pakëndshme, atëherë deri në fund të këtij viti besoj që mund të kalojë edhe procedura e miratimit të vendimit për liberalizim të vizave, ekziston një gatishmëri në Bruksel për një gjë të tillë. Janë pozitive sinjalet nga vendet që deri tani kanë qenë skeptike, përfshirë Holandën dhe Francën, Presidenca çeke që ka kryesimin e radhës së BE-së deri në fund të këtij viti, ka shprehur gatishmëri që të vendosë në procedurë këtë vendim posa të konsultohet edhe me disa vende të tilla. Në këtë rrethanë të krijuar pres që vërtetë kësaj radhe të ndodhë liberalizimi i vizave”, ka thënë ai.

Sipas tij, çështja ka ngecur në Këshillin Evropian, ku rendi i ditës dhe propozimi i temave në tryezë bëhen nga presidenca e radhës, që në këtë rast Presidenca çeke ka shprehur vullnet për ta futur liberalizimin në rend të ditës.

Qarqet që mbështesin Serbinë në Bashkimin Evropian, sipas Palokajt, janë kundër liberalizimit të vizave dhe janë kryesisht deputetë të Parlamentit Evropianë që vijnë nga radhët e ekstremit të djathtë.

“Ata kanë qëndrime kundër Kosovës, pro Rusisë, janë anti-amerikanë dhe mbështesin Serbinë”, ka thënë ai.

Palokaj ka theksuar se liberalizimi i vizave është i rëndësishëm edhe për serbët e Kosovës.

“Shtetësia nuk lidhet doemos me rezidencën, nëse një serb nga Kosova merr pasaportën në Beograd dhe është pasaportë e lëshuar për banorët e Kosovës, për atë pasaportë nuk vlen liberalizimi i vizave siç vlen për pasaportat e lëshuar në Beograd, Novi Sad, Nishë apo Kragujevc”, ka thënë ai.

Palokaj është deklaruar edhe rreth dialogut me Serbinë, për çka ka thënë se brenda këtij procesi ekziston një handikap i madh.

“Ai është që në dialog temat e dialogut janë vetëm ato që të dyja palët pajtohen që të jenë tema. Serbia në këtë rast nuk pajtohet që njohja të jetë temë. E dëgjuam z.Lajçak në një intervistë kur tha se nëse palët pajtohen që njohja të jetë qëllimi i dialogut, do të jetë, nëse nuk pajtohen, do të jetë diçka tjetër. Në këtë situatë akoma kemi ambiguitet nga BE-ja që lë hapësirë që palët të interpretojnë në mënyrë të ndryshme edhe vetë qëllimet e dialogut”, është shprehur ai.