Tash e sa kohë në arealin ballkanik po mbizotëron ideja – projekti ekonomiko – politik, “Ballkani i Hapur”.
Ky projekt, siç e dimë, për ideatore dhe promotore kryesore e ka Serbinë, rrjedhimisht ushtrimi i hegjemonisë do t’i takojë Serbisë, mandej kjo e fundit bashkë me participuesit e tjerë të projektit në fjalë, po na e prezantojnë atë (Open Ballkanin) si alternativë karshi BE-së.
Por, cili është qëndrimi i deputetit shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi në raport me këtë projekt i cili po i kontribuon edhe më tutje thellimit të antagonizmave në Ballkan, përfshirë edhe atyre ndërshqiptarë, përkatësisht Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
Kamberi theksoi se në esencë “Open Ballkani” nënkupton vazhdimin e tendencave të Serbisë për të ndikuar në të gjitha shtetet e rajonit ku jetojnë serbët, duke nënvizuar se për të problem kryesor i Ballkanit janë raportet Kosovë-Serbi, respektivisht, refuzimi i Serbisë që me Kosovën të normalizojë raportet.
“Për më tepër se një shekull, raportet mes popujve të Ballkanit karakterizohen me antagonizma të thella e disa herë ato janë përshkuar edhe me luftërat e ndërsjella (Luftërat Ballkanike, Lufta e Madhe dhe Lufërat e viteve, 90-ta, kjo për shkak të pretendimeve imperialiste territoriale të disave ndaj të tjerëve.
“Duke parë të kaluarën, duket se ideja e bashkëpunimit mes kombeve të Ballkanit, sidomos meqë së paku formalisht, gjithë kanë aspirate për t’u bërë anëtarë të BE-së, duhet të jetë e ardhmja e popujve të Ballkanit. Megjithatë, një iniciativë e cila ka për qëllim për të ndërtuar raporte të reja mes këtyre popujve nuk mund të jetë e plotë pa përfshirjen e gjithë popujve dhe shteteve që përbëjnë Ballkanin Perëndimor, edhe atë sot të barabartë. Pra, si iniciativë, Open Ballkan, nuk mund të jetë i plotë derisa pjesë e tij, me status të barabartë, të mos bëhen gjithë shtetet.
“Për mua është problematik një koncept tjetër politik i lansuar në Beograd, ai i “Botës serbe”, që në esencë nënkupton vazhdimin e tendencave të Serbisë për të ndikuar në të gjitha shtetet e rajonit ku jetojnë serbët. Si koncept i kontrollit nga shteti serb i të gjithë serbëve që jetojnë në rajon, po dëshmohet destabilizues, sikurse në BiH, Mal të Zi e veçanërisht në Veriun e Kosovës, prandaj, vështirë të jetë e sukseshme një ide bashkëpunimi e cila në të njëjtën kohë minohet nga konceptet hegjemoniste.
“Për mua problem kryesor i Ballkanit, pa të cilin nuk mund të jetë e suksesshme asnjë ide apo iniciativë bashkëpunimi, janë raportet Kosovë-Serbi, respektivisht, refuzimi i Serbisë që me Kosovën të normalizojë raportet, në suaza të një marrëveshje gjithë përfshirëse me njohje reciproke” – ka thënë Kamberi për Insajderin.