Hajnat në Kosovë përveç shtëpive e biznese të ndryshme që i kanë cak për t’i bërë qyl, siç duket janë në gjendje edhe të shfrytëzojnë fatkeqësinë e dikujt, që të ‘kapin’ sado pak para e gjësende me vlerë. Një rast i tillë iu ka ndodhur disa mërgimtarëve nga Norvegjia, sot në Sllatinë të Madhe të Fushë Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Siç mëson Sinjali, rasti ka ndodhur derisa çifti ishin në një taksi ilegal, me të cilin ishin nisur për Tiranë dhe gruaja kërkoi të ndalonin për pak minuta, pasi nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Në momentin që mërgimtarët kishin dalë nga vetura, taksisti dyshohet se i shfrytëzoi ata pak minuta dhe iku bashkë me çantën e tyre me gjësende me rëndësi, përfshirë edhe dokumentet.
Përballë kësaj situate me të cilin u ballafaquan, mërgimtarët denoncuan ngjarjen në Polici dhe me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti si ‘Shpërdorimi i pasurisë së huaj’ dhe kanë nisur hetimet për kapjen e të dyshuarit.