Shtyerja e reciprocitetit për targat dhe dokumentet hyrëse/dalëse me Serbinë u propozua nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Joseph Borrell, apo ishte propozim nga SHBA-të? Kjo çështje ka sjellë demantime të njëpasnjëshme.
E para ishte ministrja e punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla e cila edemantoiemisarin special të BE-së, Miroslav Lajcak. Ky i fundit pati thënë se shtyerja një mujore u propozua nga Borrell, por me këtë nuk u pajtua kryediplomatja, e cila tha se ka qenë propozim amerikan.
Megjithkëtë, zëvendëskryeministri i Kosovës, dhe njëherësh kryenegociatori për dialogun Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi e ka demantuar Gërvallën, duke treguar se kërkesa për shtyerjen e reciprocitetit erdhi nga Borrelli, një ditë para fillimit të implementimit të këtij vendimi.
“Me 31 korrik na ka ardh një kërkesë nga Brukseli, ku Borrell ka kërkuar që masa të shtyhet, që personalisht mendoj që nuk ka qenë fortë kërkesë qëllimmirë, nuk ka qenë e argumentueshme. Ka qenë brenga se do të ketë tensione, dhe që ka shumë dezinformim në veri dhe se ka nevoje edhe për një fushatë më të gjatë të argumentimit. Edhe pse aty shprehet që shtyerja jodomosdoshmërisht do të ndihmojë në shmangien e këtij argumenti të mosinformimit. Brukseli e ka të vetëdijshëm që tensioni nuk është krijuar brenda qytetarëve, por është I importuar nga qendra e Serbisë. Në fakt shtyerja prej 30 ditëve do të përdoret më shumë që politikisht ti bëhet presion Vucicit që të mos krijojë organzime apo inskenime të skenarëve të tillë”, tha Bislimi në rtk.