Për herë të parë që nga nisja e luftës në Ukrainë, çmimi i naftës në bursën ndërkombëtare ka zbritur në nivelin më të ulët. Prej dy ditësh në bursë, një fuçi naftë kushton 93-94 dollarë, nga mbi 103 dollarë që ishte çmimi në fund të korrikut. Por, tek ne ndodh e kundërta, pasi naftëtarët veç kanë rritur çmimet.
“Këta veç me shtrenjtu dinë, se me zbrit kurrë”, kjo është shprehja më e shpeshtë që dëgjohet nga qytetarët e Kosovës, kur flitet për çmimin e naftës dhe benzinës.
Kjo që shprehej është edhe një fakt mbi atë se çfarë bëjnë shitësit e derivateve, që njihen si “sheikët e arit të zi”.
Pronarët e pompave të naftës (inave) nuk e ulin çmimin edhe kur ai bie në bursën ndërkombëtare, shkruan Demokracia.com.
Kështu janë duke vepruar edhe këtë herë, ku për herë të parë që nga nisja e luftës në Ukrainë, çmimi i naftës në bursën ndërkombëtare ka zbritur në 93-94 dollarë, nga mbi 103 dollarë sa ishte çmimi në fund të korrikut.
Aktualisht, një litër naftë në Kosovë është duke u shitur nga 1.70 deri në 1.74 centë, ndërsa derivati i benzinës po shitet me çmim prej 1.60 euro.
Se janë rritur çmimet e kanë pranuar edhe nga Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, por ata thonë se ulje të çmimeve do të ketë shumë shpejtë.
“Luhatje të çmimeve po ka çdo herë, edhe në botë, edhe tek ne. Nuk mund të themi që s’ka lëvizje edhe në tregun tonë. Por, kjo nuk mund të vërehet menjëherë. Mirëpo, unë mund të them se shumë shpejtë do të ketë ulje të çmimeve, madje kjo do të ndodhë këtë muaj”, ka bërë të ditur për Demokracia.com, Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.
Ai ka thënë çështja e çmimeve është në dorë të secilit që merret me shitjen e derivateve dhe, po ashtu, është në dorë të qytetareve se ku duan të furnizohen.
“Mund të flasim edhe më shembuj konkret, tek unë çmimi i naftës është 1.68 centë, por ka edhe në pika ku ai është më shtrenjtë, deri në 1.74 centë. Por, këtu e ka në dorë qytetari se ku dëshiron të blejë”, ka shtuar ai.
Për një muaj me radhë, bazuar në një udhëzim administrativ të Ministrisë së Tregtisë, çmimet e derivateve janë përcaktuar çdo ditë nga Qeveria.
Atë kohë çmimi i naftës dhe benzinës ka qenë i njëjtë në të gjitha pikat shitëse.
Naftëtarët nuk ishin pajtuar asnjëherë me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Tregtisë, i cili hyri në fuqi më 22 qershor.
Shoqata e Naftëtarëve në fund të muajit qershor i kishte bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të rishikonte udhëzimin, me arsyetimin se ndodhen në buzë të falimentimit si pasojë e vendosjes së marzhës së fitimit në tregtinë e naftës, benzinës dhe gazit.
Në mediat ndërkombëtare është raportuar se për herë të parë që prej nisjes së agresionit rus në Ukrainë, çmimi i naftës bruto në bursën ndërkombëtare ka zbritur në nivelin më të ulët. Në bursë një fuçi naftë kushton 93-94 dollarë, nga mbi 103 dollarë sa ishte çmimi në fund të korrikut.
Kjo është rënia më e fortë e regjistruar që prej 16 marsit të këtij viti kur nafta zbriti në 95 dollar fuçia. Tregjet ndërkombëtare u tronditën menjëherë pas nisjes së luftës dhe për pasojë çmimi i naftës bruto arriti deri në 127 dollarë fuçia në javën e parë të muajit mars dhe gjithë kjo kohë është shoqëruar me luhatje të forta.
Por, pavarësisht kësaj rënie, një fuçi kushton rreth 22 dollarë më shumë se në 5 gusht të vitit 2021. Kjo luhatje e fortë e çmimit të naftës, por edhe e energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse, erdhi për shkak të pozicionit dominues që ka Rusia në furnizimin e Evropës me këto produkte. Po ashtu, roli dominues i Rusisë në furnizimin me gaz ndikojë më tej në shtrenjtimin e karburantit dhe energjisë në Evropë./Demokracia.com/