




Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja e ka rikthyer në diskurs ish-emisarin special të SHBA-ve për dialogun Kosovë -Serbi, Richard Grenell, pasi ambasadori amerikan dhe ai gjerman në Kosovë konfirmuan se vendimet për targa dhe leternjoftime ishin legjitime dhe të drejta.
Muja përmes një shkrimi në Facebook e ka quajtur Grenellin si njeriu i opozitës, pasi sipas tij, pas çdo veprimi të shtrirjes së autoritetit në veri, paraqitet ai.





“Ambasadori amerikan dhe gjerman konfirmojnë që vendimet për targa/letërnjoftime ishin legjitime dhe të drejta. Sekretari i NATO konfirmon gatishmërinë për ndërhyrje në rast të rrezikimit të stabilitetit. E gjithë kjo vjen pas takimit të krerëve të shtetit me Sekretarin Blinken. Pas çdo veprimi për shtrirje të autoritetit në veri të vendit, gjithnjë paraqitet edhe Grenell, ndërkombëtari i vetëm i opozitës”, tha Muja.
Megjithkëtë, Muja nuk e përmendi me emër kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me reagimet e tij për situatën që ndodhi në veriun e Kosovës, të dielën.





“Pas Grenell vijnë edhe reagimet e dostave të tij të paktë në Kosovë me ndonjë intervistë koti, konferencë të shpifur apo edhe ndonjë op-ed. Grenell është pro-Vučić dhe dost i autokratëve.
Unë nuk besoj që këta opozitarët që fajsojnë Kurtin për çdo gjë janë edhe pro-Vučić domosdoshmërisht. Sjellja dhe deklarimet e tyre janë soj i profecisë vetë-përmbushëse. Këta ende refuzojnë të pranojnë gabimin e vitit 2020”, shkroi Muja.