“Albin Kurti është njeriu i duhur në vendin dhe në kohën e duhur”

Analisti politik, Skënder Mulliqi

Skënder Mulliqi në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se rrëzimi i qeverisë Kurti 2 vështirë se mund të ndodhë, derisa kritikoi ashpër partitë opozitare për qasjen e tyre.

“Tashmë dihet qëllimi i opozitës, që me çdo kusht po synojnë rrëzimin edhe të Qeverisë Kurti 2. Rrethanat politike kanë qenë krejt të tjera kur është rrëzuar qeveria e parë e Albin Kurtit, sepse LVV ishte në koalicion më LDK, dhe kjo e dyta ishte ajo që bëri që qeveria shumë herët të bie. Ndërsa tani edhe pse opozita dhe shefi i Grupit Parlamentarë të LDK-së, po kërkojnë më ngulm rënien edhe të kësaj qeveria, shumë vështirë do të jetë. Së pari, kjo qeveri e ka shumicën e votave, LVV-ja është në koalicion kësaj radhe me Listën Guxo, që mendoj se po funksionon mirë. Opozita ishte dashur të vetëdijesohet më shumë në të bërit opozitarizëm, duke lënë anash qëndrimet e saj destruktive e inatçore, që me çdo kusht ta rrëzojë edhe këtë qeveri”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Mulliqi nuk beson se nga Vetëvendosje do të largohen 8 deputetë, këtë deklaratë të Gashit, më shumë e cilëson si një propagandë politike.

“Unë nuk e besoj që nga LVV-ja do të largohen 8 deputetë të saj siç i ka përmendur, Arben Gashi. Nuk kanë pse të jenë të pakënaqur, kur qeveria është duke bërë punë të mira, si në planin e jashtëm ashtu edhe në planin e brendshëm politik. Më duket se deklarimi i Gashit ka qenë më shumë një test dhe propagandim karshi opinionit të gjerë publik, se sa që ka mundësi që LVV-në ta lëshojnë disa deputetë të saj, për t’iu bashkangjitur LDK-së, e cila ende nuk e ka të rregulluar sa duhet radhën e vetë, pas largimit të Mustafës nga posti i të parit”, theksoi analisti.

Po ashtu, marrë parasysh dialogun në Bruksel, ai beson se Kurti është njeriu i duhur në vendin dhe në kohën e duhur për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

“Si duket, PDK-ja nuk mendon se kjo qeveri do të bie në vjeshtën e vonë, kështu janë disa deklarime nga kjo parti politike.

Pastaj, nuk do të bie qeveria edhe për shkak se e kemi dialogun më Serbinë, dhe bashkësia ndërkombëtare, nuk përkrahë zgjedhje të reja të jashtëzakonshme. Kurti është njeriu i duhur në vendin dhe në kohën e duhur për vazhdimin e dialogut më Serbinë, që për herë të parë këto bisedime kanë marrë zhvillime pozitive për Kosovën”, vlerësoi ai.

Krejt në fund, analisti parashikoi se edhe në rast të mbajtjes së zgjedhjeve në vjeshtë të këtij viti, përsëri Lëvizja Vetëvendosje do të dal fituese me shumicën e pushtetit.

“Edhe po të kemi zgjedhje të reja në vjeshtë, mendoj se LVV-ja do ta fitojë prapë shumicën dhe pushtetin. Qytetarët nuk kanë gatishmëri politike që të votojnë për at,a të cilët i kanë zhgënjyer për 20 vite me radhë. Kanë krijuar pa perspektivë për të jetuar në Kosovë. Opozita do të ishte mirë të mendojë se si të punohet më mirë në mirëqenie dhe zhvillim të vendit, se sa të merret me temat, të cilat nuk ju hyn në funksion interesave të qytetarëve dhe as të ardhmes së Kosovës. Është koha e fundit nëse dikush ka f rikë nga kjo, që të funksionojë ashtu si duhet shteti ligjor. Edhe ashtu kjo është edhe kërkesa primare e popullit të Kosovës”, përmbylli Skënder Mulliqi për “Bota sot”.