Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në SHBA, është takuar me ish-ambasadorin e OSBE-së, William Walker. “Sebep” për takimin e tyre mund të jenë zërat se ekziston një prishje e marrëdhënieve mes tyre.
Ditëve të fundit, ka pasur zëra se William Walker e Albin Kurti nuk i kanë ‘punët’ mirë mes vete.
Në një intervistë në emisionin “Pressing” në T7, ish-pjesëtari i VV-së, Florin Krasniqi, tha se William Walker është i dëshpëruar me qeverisjen e kryeministrit Kurti , duke u bazuar në bisedat që kishte me të.
Një gjë të tillë e tha edhe vetë Walker.
“Më lejoni ta shpjegoj zhgënjimin tim. Kam qenë i zhgënjyer, për shembull, që qeverisë së tashme iu desh më shumë se një vit që të vijë në Washington për një vizitë të çfarëdoshme. Mendoj se marrëdhëniet mes Washington-it dhe Prishtinës janë jashtëzakonisht të rëndësishme, por për atë kohë aq të gjatë, qeveritarët shkuan në Berlin, nëpër kryeqytete të Evropës dhe vende tjera, por nuk erdhën në Ëashington”, tha ai në një intervistë për Albanian Post.
Pas gjithë këtyre deklaratave, Kurti, i cili po qëndron ende në SHBA, sot ka vendosur që të takohet me Walker, por nuk i ka adresuar në njoftim kritikat e ish-ambasadorit.
“Duket gati njësoj si para 25 vjetëve kur u takuam për herë të parë në Prishtinë. Thua se është ndalur koha e tij për këtë dëshmitar të kohës sonë. Ishte kënaqësi ta takoj ambasadorin William Walker në Washington DC, të evokojmë kujtimet, të diskutojmë për të tashmen, të ndajmë shpresat dhe shqetësimet për të ardhmen. Diplomatët e së vërtetës për krimet e kryera gjatë luftës janë miq të popujve dhe armiq të diktatorëve”, ka shkruar Kurti në Facebook.