Kusari: Qeveria nuk do të rrëzohet

Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Arben Gashi ka thënë se në vjeshtë pritet që të bie Qeveria Kurti 2, po ashtu ai ka thënë se tetë deputetë të koalicionit qeverisës pritet të kalojnë në LDK, e për pretendimet e Gashit ka reaguar Shefja e Grupit Parlamentar e LVV e cila ka thënë se, këto pretendime nuk qëndrojnë

Deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila
Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Arben Gashi ka deklaruar gjatë mbrëmjes së 27 korrikut se “Në vjeshtën e vonshme pritet të ketë rënie të Qeverisë Kurti 2”.

“Ka indikacione, ka lëvizje dhe interesime, janë tetë deputetë që kanë shprehur interesim për të ardhur në koalicion”, ka thënë Gashi.

Për pretendimet e Gashit, ka reaguar Shefja e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila e cila këtë deklaratë e ka quajtur më shumë spekulative dhe se nuk ka asgjë të vërtetë.

“Fare nuk besoj se qëndrojnë këto pretendime për arsye se nuk ka pasur as indikacione apo shprehje të vullnetit për të kaluar apo pakënaqësi për brenda grupit. Situata është normale në grup, me një frymë komunikimi dhe bashkëpunimi, prandaj për më tutje, për kë ka menduar besoj që Z. Gashi duhet të flas, por më tepër e shoh si deklaratë spekulative sesa diçka përmbajtësore,” u shpreh Kusari-Lila për portalin Dukagjini.