Ish presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dhënë paralajmërimin e fortë për kombin shqiptar. Sipas tij, sovraniteti i Shqipërisë, së bashku me pavarësinë e Kosovës janë në rrezik.
“Në këto 5 vite kam qenë një lartësi ku kam parë çdo gjë dhe fitova një këndvështrim të ri që më mungonte më parë. Kam parë një rrezik të jashtëzakonshëm, kanosës për sovranitetin e këtij vendi, për pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës të fituar me aq mund, aq gjak dhe aq shumë sakrifica. Kam parë një plan të përllogaritur për të ekzekutuar pluralizmin politik në Shqipëri dhe për të pasur një fasadë demokraci. Situata është jashtëzakonisht kritike, kërkon një ndërhyrje urgjente të të gjithë qytetarëve, të cilët duhet të marrin përgjegjësi, të cilët nuk mund tua delegojnë përgjegjësinë e tyre kësaj klase politike”, deklaroi Ilir Meta.
Se sovraniteti i Shqipërisë dhe Pavarësia e Kosovës janë në rrezik, e thotë edhe profesor, doktor Enver Bytyçi.
“Ilir Meta në Konventën e Lëvizjes Socialiste për Integrim të Shqipërisë, deklaroi se “Sovraniteti i Shqipërisë dhe pavarësia e Kosovës janë në rrezik”! Nuk është hera e parë që ky pohim hidhet në opinionin publik. Ilir Meta e ka thënë këtë edhe në periudhën kur ishte kryetar i shtetit shqiptar. E thotë çdo ditë edhe kryetari i opozitës, Sali Berisha! Megjithatë ka shqiptarë të mallkuar që nuk shohin rrezik për sovranitetin e Shqipërisë dhe pavarësinë e Kosovës! Unë e kam paralajmëruar vazhdimisht këtë rrezik. Madje para se ta thonin Ilir Meta dhe Sali Berisha, të cilët për arsye politike e kanë vonuar përcaktimin në fjalë”, thotë Bytyçi.
Bytyçi shprehet plotësisht i bindur se Shqipëria dhe Kosova janë në rrezik për të humbur sovranitetin e Kosova shtetësinë e pavarësinë.
“Kjo faktohet me gjithë atë angazhim të Hashim Thaçit për ndarjen e Kosovës përmes ndryshimit të kufijve me Serbinë. Ai u mbështet fuqishëm nga Edi Rama. E shoh rrezikun te emigracioni masiv dhe boshatisja e territorit të Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe ju e dini se përmes shpërnguljes së shqiptarëve Serbia donte ta bënte Kosovën të vetën. Po ashtu Shqipëria po boshatiset. Është në radhën e dhjetë shteteve me pakësimin më të madh të popullsisë, sipas raportit të fundit të OKB-së! Shpërngulja përmes emigrimit është pasojë e qeverisjes së keqe. Qeverisja e keqe dhe propaganda anti-shqiptare bëjnë që shqiptarët të ikin prej atdheut të tyre. Pra qeveria e Shqipërisë përdor masa detyruese për shpërngulje. Cilat janë këto? Papunësia! Varfëria! Mos shkollimi! Spitalet e vdekjes dhe jo të jetës! Ulja reale e pagave! Mungesa e perspektivës! Mungesa e respektit! Diskriminimi dhe pabarazia! Arroganca dhe poshtërimi i qytetarëve nga ana e qeveritarëve! Më pas vjen propaganda për jetën luksoze në Evropë, çka nuk është e vërtetë!”, deklaron Bytyçi për “Bota sot”.
Ai thotë se kjo ështe vetëm njëra anë e rrezikut, pasi ana tjetër ka të bëjë me zhvillimet gjeopolitike.
“Serbia ka ndërruar taktikë. Ka kuptuar se Serbia e Madhe nuk realizohet duke u bazuar te aleanca me Rusinë, por te marrëdhëniet e mira dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Francën dhe ndonjë vend tjetër perëndimor. Kjo ka bërë që liderët e Beogradit gradualisht të lëvizin drejt perëndimit. Kam idenë se presidenti Vuçiq u ka premtuar Uashingtonit, Londrës dhe Parisit se do ta anëtarësojë vendin e tij jo vetëm në BE, por edhe në NATO. Po t’i drejtohemi logjikës, Serbia ka më shumë interes të bëhet anëtare e NATO-s, se sa të mbetet e izoluar midis vendeve anëtare të saj”, shpjegon Bytyçi.
Për këtë arsye, sipas Bytyçit, Beogradi ka ndryshuar taktikë politike e diplomatike.
“Në këto kushte qëndrimi anti-serb i Perëndimit nuk ka më motiv. Nëse deri në vitin 1999 SHBA, MB e të tjera shtete ishin kundër Serbisë, kjo ndodhte për shkak se e shihnin atë si rrezik dhe kobure të Moskës kundër Perëndimit. Tani po ndryshojnë qëndrimet. Nëse Serbia e bind Perëndimin se nuk përbën rrezik për Evropën dhe heq dorë nga aleanca strategjike me Rusinë, atëherë ajo do të marrë përkrahjen e tyre. Përkrahja e Perëndimit për Serbinë e zhvleftëson rolin e shqiptarëve në rajon. Nëse Serbia bëhet anëtare e NATO-s, Perëndimi nuk e ka problem ta sakrifikojë Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën e Malin e Zi dhe ta krijojë Serbinë e Madhe! Kjo lojë gjeopolitike është shumë e rrezikshme për Shqipërinë, për Kosovën dhe për shqiptarët!”, shprehet Bytyçi.
Sipas tij, fatkeqësisht politika shqiptare është e përçarë dhe kjo nuk po ndodh kjo rastësisht.
“Nuk ka ardhur Edi Rama në krye të qeverisë shqiptare rastësisht! Nuk mbështetet ai për arsye të të qeshurave që shkakton me batutat e tij! Gjithçka ndodh për një arsye. Arsyeja themelore është se Rama punoi dhe punon për ta faktorizuar Serbinë. U bë avokat i saj në NATO, në Bashkimin Evropian e kudo, me qëllim që të tërheqë përkrahjen e Perëndimit ndaj Beogradit. Përkrahja ndaj Beogradit përkthehet automatikisht humbje e peshës gjeopolitike të Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarëve! Përçarja e tyre i bën ata edhe më të padobishëm. Ndërkohë Beogradi e ka më të lehtë t’i bindë aleatët perëndimorë për “rrezikun e shqiptarëve fundamentalistë islamikë“!”, thekson profesor Bytyçi.
Por si duhet vepruar në këto kushte?
“Duhet adresuar e keqja. Fillimisht te politikanët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, të cilët i shërbejnë Serbisë, tezave dhe projekteve të saj. I pari dhe më i rrezikshmi prej tyre është Edi Rama! Nëse ai largohet nga politika, jo vetëm nga qeverisja, atëherë ka shanse të rikthehet fuqia gjeopolitike e jona në rajon. Ndryshe ne do të jemi në zgrip. Rrezikohet Shqipëria e sidomos Kosova. Ka ardhur koha për përballje, pavarësisht qëndrimit të Fuqive të Mëdha. Ata ishin miqtë më të mirë të shqiptarëve. Por druaj se janë ende të tillë. E ka thënë Henri Kissinger: Për amerikanët nuk ka miq dhe armiq të përhershëm! Mbajeni mend këtë këshillë brilante të shkencëtarit prominent të politikës dhe diplomacisë bashkëkohore, Kissinger!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.