Arben Gashi, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, është duke jetuar në botën e çudirave.
Gashi në fjalën e tij gjatë seancës parlamentare ka shtuar se, ajo çfarë po ndodh sot është çudia e radhës nga qeveria Kurti.
Po ashtu, deputeti nga LDK-ja ka thënë edhe se qeveria Kurti po e çuditë botën me mënyrën se si po mendon.
Përveç kësaj Gashi ka thënë se ka frikë që qeveria do të përcaktojë edhe masën e konsumit për qytetarët.
“Në fakt ajo që po ndodh është çudia e radhës nga kjo qeveri. Pra qeveria i kërkon shumicës parlamentare që të nxjerr një rezolutë ku i kërkon qeverisë që të marrë për tu ballafaquar me inflacionin. Qeveria është e obliguar me kushtetutë që të marrë masa ndaj inflacionit. Ky është një rast për studim. Kjo qeveri jeton në botën e çudirave. Qeveria Kurti mund të quhet çudia Kurti. Çudia Kurti po çuditë botën me mënyrën se si po mendon. Kam frikë që me këtë qasje, përtej logjikës së ekonomisë komanduese shpejt do të arrini në pikën ku me ligj do të nxirrni tavanin për sasinë e përcaktuar të lejuar të konsumit. Tavan për çdo gjë, pra se sa bukë duhet të konsumojnë qytetarët e jo sa kanë nevojë. Sa ujë duhet të pinë e jo sa kanë nevojë”, ka thënë Gashi.