Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel i planifikuar të mbahej sot ka dështuar.
Këtë e ka konfirmuar, zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi gjatë raportimit të djeshëm në Komisionin për Integrim Evropian.
Bislimi që është njëherit kryenegociator i Kosovës në bisedimet me Serbinë ka deklaruar se takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit ka dështuar për shkak të mosgatishmërisë së këtij të fundit që të shkojë në Bruksel.
“Ideja e takimit trilateral ka qenë që të përgatitet terreni për takim të radhës mbase këtë javë, nesër në mes të krerëve të shtetit. Poashtu kjo ka dështuar për shkak të mosgatishmërisë së Vuçiqit që të shkojë në Bruksel, Kurti është deklaruar i gatshëm që sa më shpejt të fillojë diskutimi për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, mirëpo Vuçiq ka nxjerrë si arsyetim vizitën e presidentit të Egjiptit i cili pritet të qëndrojë tri ditë në Serbi”.
Ai mes tjerash ka theksuar se Serbia po tenton të sabotojë dhe minojë procesin e dialogut.
Kurti dhe Vuçiq në kuadër të dialogut të Brukselit janë takuar vetëm dy herë, ndërsa takimin e tretë joformal e kanë pasur muaj më parë në Berlin.
Kryeqendra gjermane, Berlini, kishte bërë bashkë Kurtin dhe Vuçiqin me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak më 4 maj të këtij viti në një darkë joformale ku temë ishte procesi i dialogut.