Partia Socialiste do të mbledhë nesër Grupin Parlamentar, ku një ndër pikat e rëndësishme që do të diskutohet është një projekt-rezolutë kundër raportit të 2011 nga Dick Marty për luftën në Kosovë. Synimi është që t’i kërkohet Këshillit të Evropës të rishikojë rezolutën e vitit 2011 prej së cilës u inicua gjykimi për ish-krerët e UÇK-së. E thënë më thjesht Rama kërkon ndërprerje të gjykimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimi që janë në Hagë.
Ndonëse ka pak gjasa që Gjykata Speciale të ndalë së funksionuari pas miratimit të kësaj projekt-rezolute, lëvizja e Ramës ngjan të jetë më shumë propagandistike për të fituar kredibilitet më të lartë brenda hapësirës shqiptare në rajon. Në kushtet kur Edi Rama anatemohet vazhdimisht në Kosovës sidomos për raportin e tij të afërt me presidentin Aleksandër Vucic dhe nismën “Open Balkan”, me këtë iniciativë pa shumë pritshmëri reale, ai tenton të shpërfaqet si një atdhetar i paepur dhe baba i kombit që merr përsipër të clirojë nga akuzat ish-krerët e UÇK.
Por përvec kësaj me këtë lëvizje PS synon të kompleksojë gjithashtu edhe Sali Berishën që drejton praktikisht opozitën në Shqipëri. Dihet përplasja e ashpër Berisha-Thaçi për cështjen e korrigjimit të kufijve të Kosovës. Sjellja në Kuvend nga Rama e një projekt-rezolute të tillë është e ngjashme me atë që bëri Sali Berisha me rezolutën për Srebrenicën. Rama gati gati mezi po pret që Sali Berisha me të vetët të mos e votojnë projekt-rezolutën që i drejtohet Këshillit të Evropës. Ai do ta përdorë më pas si një kartë të fortë kundër Sali Berishës. Ndonëse deri më tani s’ka ndonjë sinjal nga opozita se cili do të jetë qëndrimi i saj për këtë projekt-rezolutë të socialistëve. Mbetet të presim të enjten në Kuvend për të parë se si do të rrjedhin ngjarjet.