Rrëfimi i kryeinxhinierit: Si e prodhuam traktorin e parë shqiptar

Maqo Bleta ish-kryeinxhinieri i Kombinatit të Autotraktorëve: Prodhuam 100 traktorë për tre vjet, ndërsa në Kinë një i tillë montohej për një minutë. Pas suksesit kryeministri Mehmet Shehu na tha:“Keni kryer detyrën”

Leonard Veizi

Traktori duhej prodhuar, qoftë dhe për t’i treguar botës se Shqipëria e vogël mund të bënte gjëra të mëdha. Në vitet kur nuk kishim më miq që të na ndihmonin, gjithçka duhej bërë “me forcat tona”…

Data e prodhimit

Traktori i parë shqiptar, i njohur si produkt “Made in Albania” e ka fillimin e tij në vitin 1978, kur pas ngritjes së Kombinatit mekanik të Auto-traktorëve, nisi me prodhimin e pjesëve të para të këmbimit për motorët e automobilave dhe të traktorëve.

Traktori i parë shqiptar, tip DT-54, sipas modelit kinez të traktorëve me zinxhirë të asaj kohe zyrtarisht, është përuruar më 16 tetor 1978. Daton në 16 tetor, pikërisht në ditën e 70 vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës, dhe kjo është sanksionuar edhe në një pllakat të vendosur në ballinën e traktorit.

Kryeinxhinieri

Për të paktën 10 vjet rresht ai ka qenë njeriu i dytë i një prej uzinave më të rëndësishme të industrisë mekanike shqiptare, siç ishte “Uzina e Traktorëve”. Ndërsa i pari i kësaj uzine ishte Pilo Peristeri, ish-anëtar i Byrosë Politike të cilit Enver Hoxha i pat besuar drejtimin e këtij segmenti të industrisë së rëndë.

Rrëfimi i kryeinxhinierit: Si e prodhuam traktorin e parë shqiptar

Maqo Bleta, ish- kryeinxhinieri i Kombinatit të Autotraktorëve, e më pas ish-zv/ministër i Industrisë, rrëfen se si u realizua projekti për prodhimin e traktorit të parë shqiptar, në përurimin e të cilit shkoi vetë kryeministri Mehmet Shehu i cili për punonjësit e Kombinatit bëri dhe një shoë duke manovruar me traktorin e prodhuar prej tyre..

Specializimi në Kinë

Maqo Bleta thotë se vajtja në Kinë qe një shkollë e dytë për të. “Në atë kohë tek ne ekzistonte një uzinë mekanike shumë pak e zhvilluar. Praktikën në Kinë, e bëra tek Uzina e Parë e Traktorëve, me rreth 250 mijë punëtorë, ku në çdo 50-60 sekonda prodhohej një traktor. Vetëm një repart instrumental kishte 35 mijë punëtorë. Atje u njoha me shumë gjëra: organizimin e projektimit të dokumentacionit teknologjik e arkivimin e tij, që tani quhet gjë e thjeshtë.

Imagjino që një traktor kishte rreth 2500 detale dhe për t’i prodhuar ato nevojiteshin rreth 30 mijë lloje atrecatura teknologjike si instrumente prerës, ndihmës, matës, forma, konkilje, pajisje teknologjike, stampa të ftohta e të nxehta. Të gjitha këto duhet t’i gjeje në një arkiv teknik për disa sekonda. Atëherë duhej një sistem i tillë organizimi që të gjeje sa më shpejt dokumentacionin”.