Gjatë raportimit në Komisionin për Integrime evropiane, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka kritikuar opozitën se ‘nuk e di se ku po i gjen ata qytetarë që janë të pakënaqur me politikat e qeverisë’.
Ai ka thënë se ‘vetëm qytetarëve që iu preken interesat e ngushta, kanë brenga’.
“Ju po thoni se qytetarët nuk po i shohin rezultatet, nuk di me cilët qytetarë dhe në emër të cilëve qytetarë po flitni. Por unë mendoj se në cdo debat televiziv ku po ka edhe angazhim të qytetarëve po e demonstrojnë krejtësisht të kundërtën. Vetëm ata qytetarë që janë prekë në interesa të ngushta po kanë brenga, por shumica janë shumë të kënaqur me vendosjen e rendit edhe ligjit. Nuk e ndaj të njëjtin mendim me ju”, tha Bislimi.
Opozita në këtë Komision, ka kritikuar Bislimin për mungesën e shtyrjes së agjendës legjislative të Qeverisë.
Ai ka thënë se nuk e di se çfarë kalkultatori përdorë opozita, por se ai i qeverisë, po ua llogaritë mjaft mirë agjendën legjislative.
“Nuk është detyrë e jemja me lavdu punën e partive tjera. Ju e thatë mirë që e keni marrë mandatin për me marrë ndryshimin. Me pas qenë mirë, na nuk kishim kërku mandate. Nuk kam ardhë me ba debat politik me juve. I keni seancat plenare. Në të gjitha raportet apo rezolutat për vendet e Ballkanit Perëndimor, te Kosova përdoret vetëm 5 herë fjala korrupsion. Një citat ‘Kosova ka bërë përparim thelbësor në luftimin e krimit dhe korrupsionit’. Ma gjej një rezolutë të mëhershme ku thuhet kjo.
Nuk e di cfarë kalkulatori përdorni ju, por neve po na del ndryshe kalkulimi i agjendës legjislative”, ka thënë Bislimi.