Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kishte planifikuar që sot të futej në Kroaci, por në planin e tij nuk e kishte përfshirë njoftimin që duhej t’ua jepte paraprakisht autoriteteve kroate. Kjo i kushtoi me prishje të gjithë planit.
Qeveria e Kroacisë ia ndaloi atij hyrjen, duke thënë se Vuçiq po planifikonte të krijonte kaos.
Vuçiq kishte planifikuar ta vizitonte sot Jasenovacin dhe Pakracin, por autoritetet kroate nuk e lejuan. Vuçiq, sipas burimeve të mediave kroate nga qeveria e Plenkoviqit, kishte kontaktuar me kryetarin e partisë serbe, SDSS, Milorad Pupovac të cilit i kishte treguar se po planifikonte një vizitë private në Jasenovac, në zonën përkujtimore ku ku vdiqën shumë serbë në Luftën e Dytë Botërore.
Ai e kishte ftuar Pupovacin që t’i bashkohej dhe kishte thënë se, nëse e konsideronte të nevojshme, do ta informonte qeverinë kroate për vizitën e tij, gjë që e bëri Pupovac dhe qeveria kroate, siç shkruan Jutarnji, u trondit nga mënyra se si presidenti serb kishte planifikuar të krijonte kaos në Kroaci.
Pa njoftim zyrtar të autoriteteve kroate, pa koordinim me ambasadën, Vuçiq kishte dashur ta kalonte kufirin nga Bosnjë e Hercegovina, përkatësisht entiteti i saj Republika Srpska dhe të mbërrinte në Jasenovac rreth orës 11:00 dhe më pas në Pakrac rreth orës 14:00.
Kryedilpomati kroat, Gordan Grliq Radman konfirmoi se Vuçiq kishte planifikuar vizitë jozyrtare.
“Kujtojmë se me rastin e çdo vizite të zyrtarëve të huaj, koha, rasti dhe plani i vizitës duhet të jetë pjesë e marrëveshjes mes dy palëve. Kroacia nuk është e informuar, kjo është e papranueshme për Kroacinë dhe e konsiderojmë të keqe. Ne mendojmë se kjo nuk është e sinqertë, se kjo nuk tregon respekt”, tha Radman.
Më pas, ai iu drejtua Vuçiqit përmes një konference për media.
“Zotëri, ky nuk është një udhëtim për në det. Presidenti i vendit është një person i mbrojtur, një vizitë e tillë kërkon përfshirjen e autoriteteve kroate. Ne gjithmonë njoftojmë ardhjen tonë, që mungonte këtu. Nuk mund ta kaloni kufiri ashtu”, tha kryediplomati kroat.