Baton Haxhiu është shprehur i befasuar se si është e mundur që Albin Kurti mbetet ende gjallë politikisht pas gjithë këtyre gënjeshtrave!
Madje, ai kritioi edhe partitë opozitare të Kosovës për qasjen e tyre ndaj qeverisë Kurti.
Këtë deklaratë të Haxhiut e komentoi profesori Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot”.
Ai nuk u shpreh i befasuar me këtë qasje të Haxhiut ndaj qeverisë së kryeministrit Kurti, kjo pasi që nga fillimi ai ka qenë kundër kësaj qeverie dhe po bën çmos ta rrëzojë atë.
“Nuk pritej dhe as pritet që Baton Haxhiu dhe sivëllezërit e tij analistë e politikë të mbështesin qeverinë e Albin Kurtit. Ata prej fillimit kanë qenë dhe janë kundër kësaj qeverie dhe bëjnë çmos që ajo të mos ketë sukses e të rrëzohet. Duke qenë i bindur në kundërshtitë e tij ndaj zotit Kurti, Baton Haxhiu kërkon që opozita e Kosovës të bëhet mashë e tij. Kritikat e tij kundër opozitës së Kosovës, përfaqësuar nga PDK, AAK dhe LDK, janë kritika dëshprimi.
Por qeveria Kurti 2 ka vetëm 16 muaj në pushtet. Më kujtohet kur Edi Rama erdhi në pushtet në vitin 2013 dhe për një periudhë gati dy vjeçare kam hezituar të jap një mendim të përgjithshëm për qeverisjen e tij, sidomos në diplomaci. Shkrimi i parë imi në këtë fushë ka qenë shumë vonë me titull “Diplomacia shqiptare në kolaps”! Por mbasi u binda në praktikë se kjo diplomaci nuk po funksiononte për shkak të autokracisë edhe në këtë fushë të kryeministrit. Kisha kritikuar disa akte propagandistike, por jo edhe qeverisjen”, deklaroi profesori.
Sipas Bytyçit, Haxhiu më së shumti po e shqetëson qasja e Kurtit ndaj dialogut dhe kërkesa e tij për njohje reciproke.
Ai vlerëson se Haxhiu dhe disa persona të tjerë në Kosovë dhe Shqipëri dëshirojnë më shumë të zbatohet projekti i Beogradit, në mënyrë që të mbroheshin nga akuzat e shumta.
“Baton Haxhiu kërkon që qeveria Kurti në 16 muaj të kishte zbatuar projektet dhe programin e katër viteve. Dhe mbi këtë bazë projekton kritikan ndaj saj. Por jo vetëm kaq. Ai e sheh me syze të errëta e madje të zeza gjithçka që bënë kjo qeveri. Unë e di se edhe qeveria Kurti ka mangësitë e saj. P.sh shoh që zoti Kurti përpiqet dhe flet vazhdimisht për lirinë dhe demokracinë. Por kam përshtypjen se ai nuk ua jep lirinë as ministrave të vet për të marrtë vendime në fushën për të cilën ata janë përgjegjës. Kjo nuk është mirë. Lideri nuk duhet ta konceptojë lirinë e demokracinë si telekomandë për të diktuar stacionin ku ndalon ose ku ecën. Shpërndarja e kompetencave, autonomia lokale dhe institucionale, pra edhe përgjegjësia kushtetuese e ligjore janë kushte të lirisë e demokracisë.
Por Baton Haxhiu nuk ka asnjë problem me këtë pjesë të sjelljes dhe aplikimit normativ të zotit Kurti. Ai nuk pajtohet me politikat makro të tij. E shqetëson qëndrimi ndaj dialogut dhe sidomos ndaj kërkesës për njohje reciproke. Haxhiu dhe shumë të tjerë në Kosovë e akoma më shumë në Shqipëri do të donin që në Kosovë të zbatohej projekti i Beogradit, me qëllim që të mund të laheshin ose të mbroheshin për akuzën e nofkën e tmerrshme që kanë marrë, kur ata mbrojtën interesat serbë në vend. Kjo nuk po ndodh. Atëherë Batoni i drejtohet në dëshporim opozitës se “ju jeni të paaftë”’, theksoi ai.
“Nuk i pranon aksionet policore dhe të kontrollit tatimor, doganor e financiar në këtë zonë, sepse akoma llogarit që veriu t’i jepet Serbisë”
Më tej, profesori u shpreh se Haxhiu edhe më tej nuk dëshiron vendosjen e autoritetit të qeverisë në veri, pasi shpreson që ajo pjesë t’i jepet Serbisë.
Bytyçi konsideron se me lidershipin e ri në LDK dhe PDK, Haxhiu nuk po arrin ta shtrijë ndikimin e tij të mëparshëm në këto dy parti politike.
“Baton Haxhiu është kundër vetingut dhe konfiskimit të pasurive të paligjshme. Dhe për ta evituar zbatimin e këtij ligji i duhet të përkrahë kundërshtarët e Albin Kurtit. Prandaj dhe u bën thirrje atyre që të “luftojnë me çdo mjet këtë qeveri”! Batoni nuk dëshiron vendosjen e autoritetit të shtetit në veri të Kosovës. Nuk i pranon aksionet policore dhe të kontrollit tatimor, doganor e financiar në këtë zonë, sepse akoma llogarit që veriu t’i jepet Serbisë. Nëse forcohet shteti në të gjithë territorin e tij, atëherë zvoglohen ose hiqen mundësitë e këtij projekti të promovuar e mbrojtur me aq kurajo nga Baton Haxhiu.
Por jo vetëm kaq. Zoti Haxhiu duket se nuk ka aq ndikim te lidershipi i ri i PDK-së dhe LDK-së sa ç’kishte te lidershipi i mëparshëm. Memli Krasniqi i duket “shumë i butë”. Po ashtu Abdixhiku. Ndërsa me Ramushin ai i ka marrëdhëniet sipas motit. Kur është nxehtë ka marrëdhënie të mira, kur temperaturat ulen, këto marrëdhënie ftohen. Në fakt ka edhe diçka tjetër në këtë qëndrim të zotit Haxhiu”, nënvizoi Bytyçi.
“Batoni nuk i merr ato 16 mijë eurot në muaj, që ia jep Edi Rama, nëse nuk do të ketë rezultate në punën e tij minuese në politikën e Kosovës”Krahas kësaj, ai foli edhe për ndikimin e kryeministrit Rama te liderët opozitar, Lumir Abdixhiku, Memli Krasniqi.
Sipas tij, Enver Hoxhaj është i vetmi opozitar që është vënë plotësisht nën hijen e Ramës.
“Mesa duket Edi Rama e ka ngarkuar që të punojë me opozitën e Kosovës, me qëllim që t’ia nxijnë jetën qeverisë Kurti. Takimet e kryeministrit të Shqipërisë me Lumir Abdixhikun, Enver Hoxhajn, fillimisht edhe me Memli Krasniqin, por edhe pajtimi i tij me Ramush Haradinajn janë vepër e Baton Haxhiut. Ndërmjetës i këtyre krushqive është Batoni. Por pavarësisht kontributit të tij për organizimin e këtyre takimeve, nuk duket se Mamli, Lumiri e Ramushi t’i binden verbërisht Edi Ramës. Rama nuk dëshiron vetëm takime, dëshiron edhe veprime. Vetëm Enver Hoxhaj është vënë plotësisht nën hijen e Edi Ramës. Madje nuk po e pranon një status të tillë as Vlora Çitaku”, potencoi profesori.
Ndër të tjera, ai tha se kjo deklaratë e Batonit tregon dështimin e tij personal, ku në mungesë të rezultateve në punën e tij minuese në politikën e Kosovës, ai nuk i merr ato 16 mijë eurot në muaj nga Rama.
“Të gjitha këto nuk janë të rastësishme dhe nuk mund të mos zgjojnë reagimin e Batonit! Ai e quan këtë si dështim personal. Dhe dështimi personal i kushton Batonit. Ai nuk i merr ato 16 mijë eurot në muaj, që ia jep Edi Rama, nëse nuk do të ketë rezultate në punën e tij minuese në politikën e Kosovës. Kjo është e ditur. Nëse paguhesh mirë, duhet të bësh edhe punë të mira për padronin që të paguan! Kjo është marrëdhënia Rama-Haxhiu! Po t’i shtojmë kësaj edhe presionet që i bëhen nga Beogradi, atëherë merret me mend sesa në hall është Baton Haxhiu. Derisa Kosova promovon të tillë njerëz, duhet edhe t’i vuajë pasojat e këtij promovimi!”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.