Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikola Selakoviq doli në një konferencë për media për të njoftuar se i kanë dërguar një notë proteste ambasadës së Kroacisë në Beograd, lidhur me vendimin e qeverisë në Zagreb për të mos e lënë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq që të hyjë në Kroaci.
Notën e protestës, sipas Selakoviqit, ambasada kroate nuk ka pranuar ta marrë, përcjell Express.
Kryediplomati serb e cilësoi “të tmerrshëm”, vendimin e qeverisë kroate për të mos e lënë Vuçiqin të hynte në Kroaci. Ai paralajmëroi “vendim për kundërmasat që do të ndërmerren”.
Selakoviq lexoi notën që Ministria serbe tentoi t’ia dorëzonte Ambasadës së Kroacisë në Beograd.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Serbisë është e tronditur nga vendimi i paligjshëm, antieuropian dhe anticivilizues i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Europiane të Republikës së Kroacisë, i cili, bazuar në vullnetin e shprehur arbitrarisht të autoriteteve kroate dhe shkeljen e rëndë të parimit të lirisë së lëvizjes, ndalon ardhjen e Presidentit të Serbisë në Jasenovac, vendi ku u vranë qindra njerëz të pafajshëm, viktima të kombësive serbe, hebreje, rome dhe të tjera”, tha Selakoviq.
Qeveria kroate thotë se presidenti serb planifikonte të krijonte kaos në Koraci.
Pa njoftim zyrtar të autoriteteve kroate, pa koordinim me ambasadën, Vuçiq kishte dashur ta kalonte kufirin nga Bosnjë e Hercegovina, përkatësisht entiteti i saj Republika Srpska dhe të mbërrinte në Jasenovac rreth orës 11:00 dhe më pas në Pakrac rreth orës 14:00.