Episodi i fundit për sezonin e parë të emisionit “n’Demos” është përmbyllur me rrëfimet e njërit prej luftëtarëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gani Geci ka folur për bashkëpunimin që ka pasur me Komandantin Legjendar Adem Jashari gjatë viteve ’90.
Ai ka treguar se Adem Jashari kërkonte 600 kallashnikov, por që nuk është furnizuar asnjëherë me to.
“Ademi kërkonte 600 mijë marka, apo 600 kallashnikov i dëshironte me i ble, dhe nuk kishte financa as nga njëri krah e as nga krahi tjetër. Krahi i LPK-së pas trazirave në Shqipëri kishin armë më shumë, dhe i sjellnin armë edhe Adem Jasharit, në atë kohë edhe Rexhep Selimi kishte një thyerje me Adem Jasharin dhe nuk furnizohej aq sa duhej Adem Jashari as me armë e as me municione”, është shprehur Geci.
Ky fakt, sipas Gani Gecit ka bërë që edhe në ditët kritike, Jasharajt kishin shumë pak armatim.
“Unë e di një rast të saktë, ku Rexhep Selimi ia jep 5 kallashnikov Shani Gecit që t’ia përcjellë Adem Jasharit, por Shania nuk i merr i thotë qoja ti se ai ka prit ma shumë, ata kanë pas disa mortaja dore, disa snajperë, armatime të lehta, municione shumë pak, edhe në ditën e luftimeve me 5, 6 dhe 7 mars”, ka shtuar ai.
Geci madje thotë se krahu i LPK-së kishte një thyerje me Adem Jasharin, e që kjo kishte edhe një arsye.
“Krah i Ademit tanë kohë në Prekaz i ka qëndru Nuredin Lushtaku, Ilaz, Zenun e Fadil Kodra, se Samiu nuk ka qenë në Kosovë deri sa është vrarë Ademi, bile Nuredin Lushtaku kah ka shku Ademi ka shku edhe ai, armë nuk kanë pas, Rexhep Selimi pat fillu me u distancu pak, se ai e krahu i LPK-së thonin që s’po don me luftu Ademi, Adem Jashari thoshte mos e sulmoni policinë në Skenderaj se më kërkojnë mua, se juve nuk iu njeh askush, ai i kishte shtatë vite në mal, ne ishim fillestar”, ka përfunduar ai.