I të njëjtit mendim është edhe profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir. Duke folur për gazetën “Bota sot”, Ben-Meir ka thënë se Kosova mund të përfitojë nëse bëhet pjesë e “Ballkanit të Hapur”.
“Në një vëzhgim që kam bërë më herët, kam sugjeruar që Kosova t’i bashkohet nismës “Ballkani i Hapur” thjesht, sepse Kosova mund të përfitojë vetëm dhe nuk është në asnjë mënyrë në kundërshtim me procesin e Berlinit. Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka të drejtë të thotë se “Kosova duhet të marrë pjesë në organizatat dhe iniciativat rajonale”, duke kërkuar mbështetje për t’u bërë anëtare e Partneritetit për Paqe, Këshillit të Evropës dhe NATO-s”, është shprehur analisti për Ballkanin.
Sipas tij, Kosova duhet t’i bashkohet çdo nisme që promovon interesin e saj kombëtar. Profesori më tej ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, edhe për “lutjen” e tij ndaj presidentit të Maqedonisë së Veriut.
“Në të vërtetë, Kosova duhet të luajë një rol në çdo iniciativë që do të promovonte interesin e saj kombëtar me shtetet e Ballkanit dhe shqetësimi i kryeministrit Kurti nuk është realisht i ankoruar në asnjë arsye strategjike. Që ai t’i lutet presidentit të Maqedonisë Kovaçevski “që të dy vendet të punojnë së bashku për të parandaluar promovimin e Serbisë të interesave ruse dhe kineze në rajon” është e gabuar. Të punosh së bashku me Maqedoninë nuk është reciprokisht ekskluzive”, ka thënë Ben-Meir për “Bota sot”.
Ai ka shtuar se “anëtarësimi në “Ballkanin e Hapur” vetëm sa do të forcojë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe nuk do të bllokojë mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës, gjë që Kurti pohon të kundërtën”.
Sipas tij, kryeministri Kurti duhet të tregojë se pse anëtarësimi i Kosovës në “Ballkanin e Hapur”, do të ndikonte negativisht për Kosovën.
“Rregulli i përgjithshëm për Kurtin është mjaft i thjeshtë: Kosova duhet të anëtarësohet dhe të bëhet anëtare e ndonjë organizate ndërkombëtare apo rajonale përderisa një anëtarësim i tillë nuk do ta rrezikojë në asnjë mënyrë pavarësinë e Kosovës. Kurti ende nuk ka treguar se si dhe pse anëtarësimi në “Ballkanin e Hapur” në çfarëdo mënyre, do të ndikonte negativisht në pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar analisti amerikan.