Shkarkimi i Kodrës, Lushtaku “shpërthen” ndaj Qeverisë Kurti: Turpi ju mbuloftë pro-serbë e nostalgjikë të Jugosllavisë!

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt Sami Lushtaku, ka reaguar ashpër pas shkarkimit të gjeneralit Fadil Kodra, nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Emergjencave të Kosovës.

Ai ka hedhur kritika nga Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, duke thënë se ajo ka shumë antipati ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përcjell Bota sot.

Lushtaku i ka quajtur pro-serbë e nostalgjikë të Jugosllavisë, ata që qeverisin sot me institucionet e Kosovës.

Reagimi i tij në Facebook:

I turpshëm e skandaloz lajmi se është shkarkuar nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Emergjencave të Kosovës, njëri prej themeluesve të UÇK-së, pjesëtar i grupit të Komandantit Legjendar Adem Jashari, luftëtar i dalluar i UÇK-së, Gjenerali Fadil Kodra.

Duket që kjo qeveri e turpit ka aq shumë antipati ndaj UÇK-së, sa askush nuk mund të imagjinonte se veprimet e saj do të bien deri në këtë nivel. Nuk ka turp më të madh sesa të shkarkohet nga pozita e Drejtorit të Agjencionit të Emergjencave, një njeri si Fadil Kodra, që gjithë jetën e ka vënë në shërbim të kombit.

Duket që ka ardhur koha e pro-serbëve e nostalgjikëve të Jugosllavisë që të qeverisin me institucionet e Kosovës.

Turpi ju mbuloftë!

SL