Qeverisja e Partisë Demokratike e Kosovës në Prizren duket se nuk po i mban premtimet që i kishte dhënë në fushatën politike gjatë 2021-ës.
Kjo pasi që punësimet partiake e me favore tashmë kanë ndodhur.
Konkursi i hapur me 19 maj 2022 për pozitën e drejtorit në gjashtë shkolla të kësaj komune dhe një pozitë për zëvëndës drejtor, tashmë i ka përzgjedhur drejtuesit e rinj.
Në rezultatet e publikuara më 24 qershor 2022, janë bërë të ditur edhe emrat e kandidatëve që morën më shumë pikë. Pozitën e drejtorit në gjimnazin “Remzi Ademaj” e mori Sali Ademaj, mbështetësi i PDK-së.
Ademaj në zgjedhjet e nëntorit 2021 ka publikuar foto në rrjetin social “Facebook”, duke kërkuar që të votohet Shaqir Tolaj për kryetar të kësaj komune.
Sali Ademaj ka marrë 88.33 pikë në këtë konkurs.
Ndërsa për të marrë kreun në shkollën “Lekë Dukagjini”, pikët maksimale në konkurs i ka marrë anëtarja e PDK’së, Vlora Karavidaj. Ajo ka marrë gjithsej 77.66 pikë.
“Numri im është 21 në rradhët e kandidatëve për Këshilltare Komunale të Partisë Demokratike të Kosovës”, ka shkruar Karavidaj në gusht të 2021-ës.
E karrigen e zëvëndës drejtorit në gjimnazin “Remzi Ademaj”, e fitoi përkrahësi i Nisma SocialDemokrate. Në dokumentin e publikuar shihet se Leutrim Dervishaj ka marrë 81.16 pikë.
Nga Komuna e Prizrenit nuk janë përgjigjur nëse ka ndikuar lidhja me partitë në pushtet për zgjedhjen e tyre në këto pozita, por thanë që procesi ka qenë transparentë dhe i monitoruar edhe na shoqëria civile.
“Përzgjedhja e drejtorëve dhe zv.drejtorëve është bërë në mënyrë të rregullt sipas ligjeve dhe UA në fuqi, nga një komision i votuar nga Kuvendi i Komunës së Prizrenit, me pjesëmarrje nga shoqëria civile, Ministria e Arsimit dhe DKA-ja. Të gjithë kandidatët e përgjedhur sipas njoftimit të DKA-së i kanë përmbushur kriteret e kërkuar sipas konkursit”, tha drejtoresha e arsimit në komunën e Prizrenit, Luljeta Veselaj për Insajderin./Insajderi.org