Kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala, është suspenduar sot nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, pas dyshimeve se ka shpërndarë pyetjet e testit për “bashkëpunëtorë profesionalë”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kallxo.com dje publikoi mesazhet me pyetje, që Buzhala kishte dashur t’ia dërgonte kandidates Adelina, por ia dërgoi gazetares së këtij mediumi me po të njëjtin emër.
“KPK ka marrë vendim për suspendimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala. Po ashtu, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, pas anulimit të konkursit ka filluar procedurën disiplinore ndaj anëtarëve të komisionit përzgjedhës të shërbimit civil për zhvillimin e procedurës së rekrutimit, për pozitën Bashkëpunëtorë profesionalë për Prokuroritë Themelore në Gjakovë, Prizren dhe Pejë”, thuhet në komunikatën e KPK-së.
Çfarë pasurie deklaroi Buzhala në Antikorrupsion?
Në deklarimin e sivjetshëm të pasurisë, Buzhala ka deklaruar se ka në pronësi një banesë që kushton 50 mijë euro dhe një tjetër që është në ndërtim, vlera e së cilës thotë se është 63 mijë e 840 euro.
Kryeprokurori i Gjakovës ka deklaruar edhe një shtëpi 200 metra katror dhe tokë, por që vlerën s’ua ka treguar.
“Prona e Përbashkët e Prindërve, Shtepia në Fshatin Buzhalë në të cilin jetojnë prindërit dhe dy vëllezrit e mi, dhe toka në fshatin Buzhalë dhe Fshatin Leshanë e cila ështe e ndarë në 5(pesë) pjesë në mesë të babait dhe 4(katër) axhallarve, ende ështe e regjistruar në Zyrën Kadastrale në Suharekë në emer të axhesë së madhë Avdyl (Ibrahim) Buzhala tani i ndjerë”, ka qenë sqarimi që ka dhënë në fund të deklarimit për këto prona.
Te pasuritë e luajtshme e ka deklaruar veturën e tij Passat në vlerë 5 mijë euro dhe një Golf VI të fëmijëve në vlerë 7 mijë e 600 euro.
Si para të gatshme në banka, Buzhala i ka deklaruar 68 mijë euro, shkruan Reporteri.net.
Si të hyra vjetore ai ka deklaruar gati 28 mijë euro./Reporteri.net