Me anë të një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se Kosova tanimë është në mesin e shteteve që prijnë në listë në nivel global për normë të inflacionit.
Ai ka shtuar se rrjedhimisht, çdo qytetar i Kosovës, mund të blejë më pak produkte e të sigurojë më pak shërbime.
Kreu i partisë më të madhe opozitare tutje ka akuzuar Qeverinë Kurti e cila sipas tij nuk po tregon as vizion e as vullnet për të marrë masa konkrete për të zbutur gjendjen.
“Në kulmin e ngritjes së çmimeve të të gjitha produkteve bazike ushqimore – Kryeministri dhe Qeveria që ai udhëheqë, nuk po tregojnë as vizion, as vullnet e as guxim për të marrë masa konkrete për të zbutur këtë gjendje”, ka shkruar Krasniqi.
“Rritja deri në trefish e çmimit të energjisë, shtrenjtimi i lëndëve djegëse për ngrohje, do të jenë sfidë shumë e rëndë për secilën familje. Çmimet e derivateve dhe të ushqimeve nuk pritet aspak të zbresin. Pandemia po e rikthen intensitetin e saj, e, sipas gjendjes faktike, mundësia për rritjen e pagave është tepër e vogël”, ka shkruar tutje ai.
Krasniqi ka thënë se Kurti, në këtë situatë, po gjen kohë që të qëndrojë jashtë vendi nëpër ekskursione personale të cilat nuk kanë asnjë rezultat për Kosovën.
“Këto paralajmërime, do të duhej të mjaftonin që Qeveria të ndërmerrte masa emergjente qysh sot. Por, jo. Për Kryeministrin, i cili në 100 ditët e fundit gjysmën e tyre e ka kaluar jashtë vendit nëpër ekskursione personale – pa asnjë rezultat për Kosovën, më me rëndësi po dalin të jenë tryezat e debateve dhe takimet shterpe”, ka shkruar Krasniqi.