Kreu i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkovic, ka folur pasi i është ndaluar sot hyrja në territorin e Republikës së Kosovës.
Petkovic ka thënë se nuk është lejuar të futet në Kosovë përmes pikës kufitare të Konçulit dhe ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, se po i shkel marrëveshjet.
“Kurti vazhdon t’i shkelë të gjitha marrëveshjet, veçanërisht marrëveshjen për vizitat zyrtare. Jam në vendkalimin e Konçulit, ku për të shtatën herë me radhë më është ndaluar hyrja në territorin e Kosovës. E njoftova vizitën time me kohë, megjithatë Prishtina ma ndalon të hyj në territorin e Kosovës”, ka deklaruar Petkovic, derisa ka treguar se po planifikonte të merrte pjesë në përurimin e një sheshi në një fshat të Gjilanit, e më pas të vazhdonte për vizitë në Zveçan dhe Leopsaviq, shkruan Radio Kontakt Plus.
Ai tutje ka thënë se për këtë gjë e ka njoftuar edhe emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak, si dhe përfaqësuesit politik të BE-së dhe SHBA-së.
“Ata më thanë se kjo është një shkelje e marrëveshjes, por se ka të bëjë edhe me një lloj të problemit teknik, i cili është arsyeja pse s’mund të hyj në territorin e Kosovës sot”, ka thënë Petkovic tutje.
Ai ka thënë se nesër do ta provojë përsëri të futet brenda territorit të Republikës së Kosovës përmes pikës kufitare në Konçul për ta parë nëse vërtet është problem tenknik apo siç thotë Petkovic “nëse është çështje e arbitraritetit të Albin Kurtit i cili shkel marrëveshjet në çdo mënyrë”.