Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, ka thënë në emisionin DPT te Fidani në T7 se projektligji për Byron e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme do të kalojë në Kuvend brenda dy javëve.
Ai ka thënë se nuk e kupton opozitën që po e kundërshton këtë teksa flet për shefin e grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashin.
“Këtë pyetje duhet t’ia bësh zotëri Gashit. Pse e pranuat Byron kur ishim bashkë në koalicion e jo tani? Ku është problemi? A e ka kërkuar vetë opozita që ta dërgojmë në Venecia. E kemi kërkuar dhe e kemi inkorporuar në ligj. A e din ku është problemi? Po e shohin veten aty. Po thonë se mund të ndjekim opozitën. Por qysh mundet me të hetu ajo kur nuk je hajn?”, thotë ai.
Tutje ai tha se për vettingun në drejtësi duhet konsensus i gjerë, ndërsa për Byron nuk do të ketë probleme dhe do të kalojë për dy javë.
“Ajo shkon. Vettingu kemi problem. I kemi votat për atë. Besoj që brenda dy javëve do të kemi miratimin e Byros. Ndërsa për Vetting duhet konsensus më i gjerë. E kemi parë Kurtin në takim me zotëri Krasniqin dhe përfaqësues tjerë të opozitës. Ajo do kohë”, shton ai. /Gazeta Express/