Lladrovci: Po, PDK është parti politike e krijuar nga UÇK!

Opinion nga Ramiz Lladrovci

Disa të vërteta, për një pjesë të qytetarëve të Republikës së Kosovës por edhe jashtë, lidhur me shtetin tonë dhe të arriturat, duken të pabesueshme.

Disa të vërteta lidhur me Kosovën fillojnë me ecurinë e çlirimit, krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aksionet e para kundër okupatorit serb, me logjistikën e UÇK-së kundër një superfuqie evropiane, me komandën dhe organizimin, por edhe me forcën e pakufishme morale të çlirimtarëve.

Kam moral të flas, për disa të vërteta, si njëri nga ata të parët, para se t’i dalim me armë në dorë, dolëm me propagandë, me libra, gazeta kundër regjimit, me ide, mobilizim, anëtarësim, zgjerim dhe përgatitje për luftë çlirimtare. Po ashtu, flas edhe si një nga themeluesit e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kushdo që do ta harroj historinë e lavdishme të çlirimit të Kosovës, duhet ta dijë mirë se viti 1998 ishte vit që filloi të punonte ora e lirisë për ne. Dua të theksoj se ishin fillim vitet e ’80-ta që demonstratat e fuqishme e trandën diktaturën. Kjo orë e lirisë që kishte filluar të punonte për ne, nuk ishte një shkrepje ideje e një çasti apo momenti e një njeriu, ishte një gjeneratë që e përjetonte më rëndë se të parët tanë, peshën e robërisë.

Ishte akumuluar mllefi i tre e katër brezave që okupimin e Serbisë dhe Jugosllavisë që e paguante shtrenjtë synimin për liri – me jetë, me torturë, me burgje, me përndjekje, izolim, helmim e deri në zhdukje të individëve, familjeve e lagjeve të tëra, që nga reforma agrare e Kralevinës, deri në kohën e k riminelit Millosheviq.

Popullit shqiptar në ish Jugosllavi, nuk i kishte mbetur rrugë tjetër, pos lufta çlirimtare. Ne nuk kishim rrugë tjetër. Diplomacia e asaj kohe ishte e paaftë të ndalonte tanket serbe në fshatrat e Drenicës, partitë e atëhershme politike, nuk e fillonin luftën për shkak të rrugës dhe bindjes së tyre politike, bashkësia ndërkombëtare ishte e verbër përball vuajtjeve tona.

Ne nuk kishim rrugë tjetër për liri, veç fillimin e luftës çlirimtare. Ne kishim zgjedhur vdekjen para se robërinë. Po, për disa sot, vërtetë duket e pabesueshme, ashtu siç kanë filluar edhe të tallen me të arriturën më madhështore të kombit tonë, pas Skënderbeut dhe Pavarësisë së Shqipërisë, shpalljen e Kosovës shtet të pavarur e sovran.

Komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari, ishte i destinuar nga historia për t’i pri luftës çlirimtare. Familja emblematike Jashari, ishte personifikim i një kombi pas së cilës u rreshtuan bijat e bijtë më të devotshëm të kombit, deri në sakrificë, si Fehmiu, Xheva, Ilazi, Abeja, Bedriu e mijëra dëshmorë që me vetëdije të plotë dhe vullnet të palëkundur ranë në fushën e nderit për liri dhe u çliruam. Nuk do harruar as përpjekjet atdhetare ndër breza, por, fati ishte te gjenerata jonë, për të qenë edhe dëshmitar të çlirimit, të fitores historike, të themelimit të partive politike dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në të drejtën tonë, na ndihmoi NATO me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtet demokratike. Ideali shekullor u realizua. Liria fitoi kundër robërisë.

Kushdo që ka dilema se si u krijua Partia Demokratike e Kosovës, mund të gjej dokumentet e themelimit, por, edhe paralajmërimet e para pasi Kosova u çlirua. Paralajmërimi i parë u dha edhe në media, në “Kohën ditore”, të datës 4 shtator 1999.

Kushdo që nuk beson se UÇK me aleatët nuk e çliroi Kosovën, është i mashtruar. Kushdo që mendon se PDK u krijua nga të pakënaqurit me partitë e atëhershme politike, gabohet rëndë.

Partia Demokratike u krijua nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pasi Hashim Thaçi, drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe Shefi i Delegacionit tonë në Rambuje, u kthye nga vizitat në tri qendrat e mëdha evropiane dhe diskutimi me partnerët tanë evropian.

Kryeqytetet vendimmarrëse të asaj kohe, Paris-Romë-Bonn ishte vendqëndrimi i z. Thaçi në fund të verës së nxehtë 1999 e fillim shtatori, dhe deklaroi se UÇK do të transformohet në parti politike. Kjo ndodhi. Sot, vërtetë për disa është e pabesueshme çlirimi i Kosovës, ashtu siç ju duket e paktë kjo liri për të padijshmit, oportunistët, shantazhuesit, sabotatorët e UÇK-së dhe bashkëpunëtorët e ish regjimit v rast ar.

Nuk do mend se ka komandant të UÇK-së apo veteranë të cilët ndodhen në partitë tjera, sepse, jo i gjithë kontingjenti më kontribuues për çlirim është ekskluzivisht në PDK, ata ndodhen edhe në partitë tjera, por, transformimin e formacionit ushtarak nga UÇK në parti politike e mori Hashim Thaçi dhe u krijua PDK.

Për këdo që ka dilema se si u krijua PDK dhe çfarë lidhje ka UÇK me PDK-në, pavarësisht qëndrimeve tona sot, po ua paraqes artikullin e “Kohës ditore”, të datës 4 shtator 1999, për ngjarjet e 3 shtatorit 1999. Ne jemi këtu, dëshmitar të flasim edhe për UÇK edhe për PDK, pavarësisht bindjeve të opozitës apo ndonjë të shkalluari kundër UÇK-së dhe transformimin e saj në PDK.

Kushdo provon ta njollos UÇK-në, dëshmon karakterin e vet, njollos veten, origjinën, të kaluarën dhe synimet e veta të sëmura. Kushdo e vë në dilemë krijimin e PDK-së nga UÇK, gabon rëndë dhe po hyn në mal pa sakicë!