




Në kuadër të realizimit të objektivave strategjike dhe zbatimit të reformave strukturore të Programit për Reformën në Ekonomi, që kanë për qëllim zvogëlimin e barrës administrative, përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes dhe zhvillimin e konkurrueshmërisë në sektorin privat, Ministrja Rozeta Hajdari ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ (MINT) nr. 04/2022 për Caktimin e Lartësisë së Tarifave për Leje të Subjekteve për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme.





Me anë të këtij Udhëzimi Administrativ përcaktohet lartësia e tarifave për shqyrtimin e aplikimit, dhënien, vazhdimin dhe plotësimin e lejes, varësisht sipas llojit, të cilat i paguajnë subjektet për aplikim, të lejeve për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme.Udhëzimi Administrativ përcakton lartësinë e tarifave me shumën 50.00 Euro për të gjitha llojet e lejeve për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme.





Për dallim me Udhëzimin Administrativ të tanishëm nr. 16/2010 Për Caktimin e Lartësisë së Taksave për Licencimin e Subjekteve nga Sektori i Naftës dhe Derivateve të Naftës, në të cilin lartësia e tarifave maksimale ka qenë prej 500 Euro deri në 5.000 Euro. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë synon mbrojtjen e konsumatorëve dhe mbështetjen e bizneseve, konkretisht përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes dhe zhvillimin e konkurrueshmërisë, duke mundësuar zhvillimin ekonomik dhe rritjen e të ardhurave kombëtare përmes zhvillimit të industrisë, ndërmarrësisë, inovacionit, tregtisë dhe turizmit.