




Ish-ambasadori i Kosovës në Slloveni e njëherit edhe zyrtar i LDK-së, Anton Berisha, thotë se kryeministrat shqiptarë në mënyrë direkte dhe indirekte po u kontribuojnë interesave serbe.
Këtë koment, Berisha e dha pas vendimit të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) me në krye Milo Gjukanoviq, për ndërprerjen e mbështetjes për Qeverinë e Malit të Zi të udhëhequr nga Dritan Abazoviq si pasojë e marrëveshjes që ky i fundit bashkë me ministrat e tij e nënshkruan me Kishën Ortodokse Serbe.





Ish-ambasadori Berisha e ka quajtur politikan me eksperiencë presidentin malazez për vendimin për t’u mbrojtur, siç thotë ai, nga depërtimi i interesit serb prej një kryeministri shqiptar teksa shton se parandalimi i ekspansionit serb nga dy kryeministrat tjerë shqiptarë mbetet dilemë e vështirë.
“Malazeztë kanë vendosur tē mbrohen nga depërtimi i interesit serb prej një kryeministri shqiptar, por si do të mbrohemi ne prej të tonëve në parandalimin e ekspansionit serb mbetet dilemë e vështirë”, shkroi ndër të tjera Berisha në Facebook. /Reporteri.net/.
Postimi i tij i plotë:





Përderisa ne, me naivitetin tipik numërojmë kryeministrat shqiptarë, ngase nuk kemi aftësinë e shqyrtimit përtej sipërfaqësores, malazeztë në krye me presidentin Gjukanoviq u deklaruan: “marrëveshja me Kishën Serbe kërcënon interesat shtetërore të Malit të Zi.”
Dhe, po i shqyrtuam në thellësi gjërat ashtu siç bëri politikani me eksperience të jashtëzakonshme Gjukanoviq, atëherë dalim te një fakt dëshpërues, në indikacionet që tre kryeministrat shqiptarë indirekt dhe direkt janë duke i kontribuar interesave serbe.
Malazeztë kanë vendosur tē mbrohen nga depërtimi i interesit serb prej një kryeministri shqiptar, por si do të mbrohemi ne prej të tonëve në parandalimin e ekspansionit serb mbetet dilemë e vështirë.