“Sharjet dhe ofendimet e ndyta të cilat sot i hasim gjithandej rrjeteve sociale ku komunikohet në shqip, duket të mos jenë fenomene të vonshme të lidhura me krizat anomike të shoqërisë. Faktet na tregojnë se kjo është një praktikë komunikative e rrënjosur prej kohësh në traditën e shqiptarëve.
Në librin e tij të shkelqyeshëm mbi Selanikun, “Selaniku- Qyteti i fantazmave”, historiani britanik Mark Mazower tregon se si gjatë shekullit XIX Selaniku ishte kthyer në njërin nga qytetet më multietnike jo vetëm të Perandorisë Osmane, por edhe të krejt Europës.
Në qytet fliteshin dhjetëra gjuhë dhe gjeje njerëz nga dhjetëra grupe etnike. Në mesin e tyre, natyrisht, kishte edhe shumë shqiptarë. Por nuk ishte gjuha ajo që parasegjithash i dallonte shqiptarët nga grupet e tjera etnike që mbushnin jetën sociale të Selanikut. Ishte diçka tjetër.
Shqiptarët, shkruan Mazower, dalloheshin menjëherë nga të tjerët me mënyrën se si i drejtoheshin njëri tjetrit, duke i sharë njëri tjetrit nanën, gruan, motrën, familjen dhe duke e etiketuar njëri tjetrin më termat që lidhen me kafshët dhe jashtëqitjen.
Sot romantikët dhe nostalgjikët e ndryshëm janë të prirur ta idealizojnë dhe glorifikojnë traditën, por kur i shohim gjërat me syrin e realistit, atëherë e kuptojmë se një pjesë e konsiderueshme e problemeve të cilat na e komplikojnë sot jetën, i kanë rrënjët pikërisht në vetë traditën.
Rëndom të parët nuk kujdesen që pasardhësve t’u lënë trashëgim vetëm gjërat e mira, por, dashur pa dashur, bashkë me to u lënë trashëgim edhe plehun e tyre”
Blerim Latifi